Në 2 javë vetëm 893 të prekur dhe 35 humbje jete

Dy javët e para të majit kanë shënuar edhe numrin më të ulët të të infektuarve me Covid-19 dhe viktimave. Në 15 ditët e para të këtij muaji janë regjistruar 893 të infektuar dhe 35 viktima.

E shtuna ishte dita me numrin më të ulët të të infektuarve gjatë 24 orëve. Vetëm 1.1 për qind e të testuarve kanë rezultuar pozitiv me Covid-19.  Ministria e shëndetësisë bëri të ditur se nga 3400 teste të kryera janë konfirmuar si mbartës të virusit vetëm 39 persona, shifra më e ulët kjo që nga nisja e pandemisë në raport me testimet e kryera.

Krahasuar me dy javët e para të Prillit, Maji ka trefish më pak të infektuar dhe viktima nga Covid-19. Në dy javët e parë të prillit në vend janë regjistruar 3971 të infektuar dhe 100 viktima.

Numri i ulët i të infektuarve dhe viktimave, sipas ekspertëve ka ardhur për shkak të imunizimit natyror të lartë të popullsisë dhe vaksinimit anti-Covid.

Tv Klan