Kryeministri Edi Rama prezantoi pasditen e kësaj të marte kandidatët për deputetë në qarkun e Tiranës. Rama i dha fjalën Pandeli Majkos, për të cilin tha se përveç faktit që është i 19-ti në listë, ka edhe një arsye tjetër për të folur.

“Unë do të doja që në emër të të gjithë atyre që nuk kanë nevojë për vizibilitet të veçantë sepse kanë prej disa vitesh që janë në këtë arenë, të flasi më i riu prej tyre. Përveç faktit që është i 19-ti unë po i jap fjalën edhe për një arsye tjetër, sepse duke qenë se pas meje Pandi është i dyti që ka marrë gjithçka nga PS-ja, për këtë ai është i vetëdijshëm siç jam dhe unë i vetëdijshëm për t’u treguar shumë i gatshëm që t’i përgjigjet edhe asaj që është kërkesa e natyreshme e kësaj beteje. Që Pandi të jetë veçanërisht aktiv në këtë fazë të ndeshjes ku faktikisht fillon zyrtarish fushata për pak dhe ditë dhe ku sigurisht ne duhet të jemi shumë të pranishëm jo vetëm në komunikimin e afërt me njërezit, por edhe në komunikimin publik”, u shpreh kryeministri.

Ndërkohë, Majko gjatë fjalës së tij u shpreh se kundërshtari i tyre politik, në këto zgjedhje është në luftë për mbijetesë, ndryshe nga PS-ja që sipas tij është një ekip shprese. Mes të tjerash ai nënvizoi se Tirana është qyteti i kryeëndrrave dhe ndaj kanë detyrimin të bëjnë një kryefushatë.

“Tani unë të them të drejtën, në emër të të gjithë kolegëve kam një lloj presioni për këto zgjedhje, por nuk vjen nga fakti që jam numri 19 në listë, por vjen nga pesha e përgjegjësisë që besoj e ka çdokush nga që nga numri 1 deri në 36. Dhe kjo ka të bëjë me faktin që Tirana është sheshbeteja e kësaj fushate elektorale. Këtu nuk shtrohet fjala vetëm për të diskutuar matematikën. Se do fitojmë 19, se do fitojmë 20, se do fitojmë 21, apo se do fitojmë më shumë. Këtu çështja shtrohet pak më thelbësore. Së pari ky ekip nuk është një ekip mbijetese por një ekip shprese. Ekipi jonë është një ekip që bën diferencën me ekipin që kemi përballë.

Ekipi që kemi përballë është një grup njerëzish që përpiqen të mbijetojnë në politikë, kurse ekipi jonë është një ekip që ju bën të qartë të gjithë njerëzve, por në radhë të parë socialistëve dhe atyre që e kanë votuar PS-në, ata që e kanë përkrahur Partinë Socialiste në ditë të vështira dhe tani jemi shumë afër shkruarjes së historisë, marrjes së mandatit të tretë. Por kjo nuk është edhe aq e thjeshtë. Nuk është kaq e thjeshtë sepse ne jemi skuadra që përfaqëson PS për të marrë mandatin e tretë në kryeqytetin e Shqipërisë, që nuk është thjesht kryeqyteti i Shqipërisë. Është një Shqipëri e kondesuar që mbart brenda kryeëndrrat, kryeshpresat dhe kryekërkesat. Dhe përballë ekipit të mbijetesës ne kemi ardhur pa diskutuar me njëri-tjetrin se kush është i pari i dyti, i treti, vija e zjarrit apo vija e sulmit. Në thelb ne jemi një ekip ku të gjithë bashkë, pavarësisht nëse kanë ardhur ditën e parë apo kanë këtu prej vitesh, mendon se ia kemi vënë vetes qëllimin se konkurrencën kryesore ne e kemi me kundërshtarët tanë dhe jo me njëri-tjetrin. Mbase edhe si pak më i vjetri dëshiroj t’i drejtohem edhe publikut të Tiranës për secilin prej kolegëve tanë që janë në këtë listë, nga i pari tek 36, votën për secilin e ka në radhë të parë votë për PS-në për të vazhduar këtë ndryshim i cili i ngjan pak a shumë edhe si stadium i ri nën hijen e të cilit ne bëjmë këtë takim. Themelin ai e ka tek Qemal Stafa, por mbi të ngrihet krejtëshisht diçka tjetër. Ashtu siç ne po përpiqemi dalëngadalë të ndërtojmë një shtëpi të re jo vetëm për shqipëtarët e këtij brezi por edhe për shqiptarët e brezit të ardhshëm. Tirana ka më shumë kërksesa se çdo pjesë tjetër e Shqipërisë sepse këtu fle kryeëndrra. Ndaj kemi detyrimin të bëjmë një kryefushatë”, tha Majko./tvklan.al