Tërheqja e investimeve kanadeze në Shqipëri ishte në fokus të bisedimeve të zhvilluara mes Minstrit Pandeli Majko dhe drejtorit ekzekutiv të Këshillit të Bizneseve Kanadezo-Shqiptare Robert Baines, njëkohësisht president i NACO (Nato Association of Canada).

Gjatë takimit u fol për rolin e rëndësishëm të Keshilleve të Biznesit në krijimin e lidhjeve të qëndrueshme mes vendeve. Ndërsa përmendi arritjet e diasporës shqiptare në Kanada, Baines tha se po punohej për orientimin e bizneseve shqiptaro-kanadeze drejt Shqipërisë.

Ministri Majko nga ana e tij e njohu zyrtarin me hapat e ndërmarrë në bashkëpunim me qeverinë e Kosovës për të mundësuar një qasje më të efektshme ndaj të gjithë shqiptarëve që jetojnë jashtë vendit. Në Hamilton, Majko vizitoi edhe ambjentet e biznesit të suksesshëm shqiptar Pro-Don Construction Inc, i specializuar në ndërtime druri. Një tjetër sipërmarrje e suksesshme është ajo e “IBX Services” e drejtuar gjithashtu nga shqiptarë.

Majko vizitoi fabrikën e kompanisë që merret me restaurime pronash e që numëron rreth 200 punonjës. Në të dyja rastet Ministri vlerësoi arritjet e sipërmarrësve shqiptarë, të cilët siç tha me aftësitë e tyre kanë tejkaluar çdo barrierë, duke u kthyer në një aset të shoqërisë kanadeze dhe asaj shqiptare.

Në takimin me përfaqësuesit e organizatës së themeluar nga shqiptarë “RH Scholarship” , e cila ka si qëllim mbështetjen e ekselencës akademike përmes bursave, u diskutua për mundësinë e shkëmbimit të studentëve mes dy vendeve.

Roli i profesionistëve të suksesshëm në zhvillimin e Shqipërisë, ishte në qendër të diskutimeve në takimin që zhvilloi Majko me ‘Albanian Canadian Excellence Society’ . Shoqata ku bëjnë pjesë profesionistë të rinj të suksesshëm, plotësisht të integruar në shoqërinë kanadeze, ka si mision promovimin dhe njohjen e ekselencës brenda komunitetit shqiptar.

Ndihma që mund t’i ofrojë grupi i profesionistëve Shqipërisë dhe bashkëkombasve të tyre, ishte një temë me interes të veçantë. Ministri Majko dhe homologu i tij u shprehën të gatshëm për krijimin e kushteve që do të mundësojne një shfrytëzim sa më të mirë të kapitalit social. Ata prezantuan arritjet dhe planet e dy qeverive për të krijuar një strukturë të fortë mbështetëse për diasporën dhe për të ndërtuar ura bashkëpunimi.

/tvklan.al