Ministri i Shtetit për Diasporën Pandeli Majko, nisi të shtunën një vizitë disa ditore në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Ndalesën e parë e bëri në Miçigan, ku edhe jeton një numër i madh shtetasish shqiptarë. Majko, i shoqëruar nga Ambasadorja e Shqipërisë në SHBA, Floreta Faber, Konsulli i Nderit, Ekrem Bardha dhe përfaqësues të tjerë të diasporës atje, vizitoi qendrat fetare të komunitetit shqiptar në Rochester Hills.

Sipas një njoftimi të Ministrisë së Shtetit për Diasporën, Ministri Majko pa nga afër Kishën Katolike të Shën Palit e cila në çdo cep të saj kishte gjurmë shqiptare. Ndërsa famulltari i Kishës Dom Fred Kalaj i tregonte ambientet e mbushura me simbole e figura shqiptare, si Nënë Tereza dhe Skënderbeu, Ministri Majko tha se bëhej fjalë për një lidhje shumë të bukur mes besimit dhe ndjenjës kombëtare.

Në Kishën e Zojës Pajtore të Shqiptarëve, Kisha e dyte Katolike e shqiptarëve në Rochester Hills, Ministri i Shtetit për Diasporën dhe delegacioni që e shoqëronte u prit nga famulltari Dom Ndue Gjergji. Ndërsa vlerësoi marrëdhëniet e forta të komunitetit, Majko tha se ishte shumë e rëndësishme që një komunitet të gjente pikat e lidhjes. Përfaqësuesit e Kishës e ftuan Ministrin të merrte pjesë në aktivitetin që zhvillohet në datat 15-16 qershor, kur mijëra shqiptarë mblidhen në Miçigan.

Më pas, Ministri i Shtetit për Diasporën vizitoi Teqen e Baba Rexhepit, e para Teqe Bektashiane e hapur në SHBA. Në Teqen ku gjithashtu, simbolet fetare ndërthureshin me ato kombëtare Majko u prit nga përfaqësues të komunitetit Bektashian dhe Dervishi Eliton Pashaj. Në fokus të diskutimeve ishte ruajtja e gjuhës shqipe tek brezat e rinj. Ministri shprehu gatishmërinë për tu angazhuar për sigurimin e librave të gjuhës shqipe për shqiptarët atje dhe regjistrimin e fëmijëve të lindur jashtë vendit.

Vizitat në qendrat fetare të shqiptarëve në Miçigan, Ministri Majko i mbylli në Qendrën Islamike Shqiptare ku u takua me përfaqësues të këtij komuniteti dhe Imamin Shuaip Gerguri. Gjatë takimit ai informoi të pranishmit lidhur me hapat që po ndërmerr bashkë me qeverinë për krijimin e lehtësirave për shqiptarët e diasporës. /tvklan.al