Arkiva Lajme – Tv Klan 1999

Kryeministri Pandeli Majko është rikthyer sot në Qytetin Studenti për të parë në vend gjendjen në prag të vitit të ri shkollor. Megjithëse shumica e studentëve kanë braktisur godinat, në këtë qytet janë strehuar qindra familje të pastreha të ardhura nga rrethet. Një grua nga Ballshi i kërkoi Kryeministrit që këto familje të trajtohen me kredi shtetërore, për të blerë shtëpi banimi në Tiranë.

Në takimin me drejtuesit e Qytetit Studenti, Majko tha se duhen përqëndruar kompetencat në një drejtori të veçantë për të zgjidhur problemet e mirmbajtjes së konvikteve, furnizimit me energji elektrike, trajtimit me ushqim, pastrimit dhe gjelbërimit. Majko ka hedhur idenë që studentët të krijojnë një këshill studentor për të mbrojtur të drejtat e tyre.

Gjithashtu Majko ka vizituar edhe ambjentet e mencës kolektive të studentëve ku janë bërë përmirësime të ndjeshme në pajisjet e kuzhinës dhe higjenën e përgatitjeve të ushqimeve.  

Punonjësit e këtij Qyteti Studenti janë ankuar për rrogat e ulta, për mungesën e ujit dhe të dritave. Për riparimin e godinave punojnë 4 firma ndërtimi dhe punimet linin për të dëshiruar. Ndërkohë me cilësi më të lartë po ndërtohen vilat brenda dhe për rreth Qytetit Studenti./tvklan.al

Gazetar – Vladimir Lame