Për ambasadoren e Shqipërisë në Vatikan, Majlinda Frangaj, Papa Françesku do të kujtohet si njeriu që zgjodhi thjeshtësinë dhe promovoi dialogun.

Pikërisht për shkak të dialogut ndërfetar, si një nga pikat kryesore të papatit të tij, ajo tha për emisioni Rudina në Tv Klan, se Ati i Shenjtë zgjodhi Shqipërinë si vendin e parë europian për ta vizituar. Ajo rrëfeu gjithashtu se Papës i kishte bërë përshtypje mikpritja në Shqipëri.

“Një respekt dhe dashuri ndaj personit tim, por dhe një dashuri dhe respekt ndaj popullit shqiptar. Ajo pritja në Shqipëri, Papës i ka ngelur në mend dhe e ka përsëritur gjithmonë në shumë raste ai e ka përmendur se si e priti populli shqiptar. Ai zgjodhi Shqipërinë për të dhënë një mesazh. Na vizitoi të parët në Europë pikërisht për këtë vlerë kaq të madhe që kemi duke i thënë gjithë botës merrni shembull tek Shqipëria”, shprehet Majlinda Frangaj, ambasadore e Shqipërisë në Vatikan.

Për ambasadoren tonë në Vatikan, sjellja e Papa Françeskut, u përcaktua nga emri që ai vetë zgjodhi.

“Që tek emri lind papnia e tij. Ai zgjodhi këtë emër të nderim të këtij shenjtori dhe ai gjatë gjithë jetës së tij paraqiti thjeshtësi”, tha ambasadorja e Shqipërisë në Vatikan.

Ambasadorja Frangaj kujtoi edhe momentet e para të prezantimit dhe disa nga mësimet e tij.

“Atë pasdite po binte shi momenti që ai u shfaq te ballkoni u ka mbetur të gjithëve në mendje dhe në kujtesë kur ai u prezantua thjesht me një mirëmbrëma. Që në fillim të emërimit të tij ai zgjodhi thjeshtësinë. Temat që ka trajtuar janë të shumta, për të varfrit, për mëshirën”, theksoi Frangaj.

Ambasadorja Majlinda Frangaj tha se mësimet e Papa Françeskut nuk duhet që vetëm të kujtohen, por duhen ndjekur.

Tv Klan