Makina e parë fluturuese duket se do të debutojë shumë shpejt.
Alef Aeronautics ka prezantuar mjetin elektrik Model A që mund të përdoret në rrugë dhe në ajër.
Që prej vitit 2015, kompania amerikane e automjeteve dhe aviacionit ka synuar ndërtimin e një makine fluturuese. Tanimë, duket se është një hap më afër realizimit të kësaj ideje pas firmosjes së një marrëveshjeje me kompanitë PUCARA Aero dhe MYC.
Kompania shprehet se makina “është krijuar për të ecur në rrugë, të ngrihet lart vertikalisht kur duhet dhe të fluturojë mbi mjetet e tjera kur ka trafik”, duke zgjidhur problemin e përhershëm.
Model A do të jetë një makinë plotësisht elektrike që mund të ngjitet vertikalisht dhe të ulet. Për të fluturuar, shasia e saj do të rrotullohet 90 gradë duke u kthyer në një krah të fiksuar. Trupi i mjetit do të përbëhet nga një rrjetë që lejon depërtimin e ajrit gjatë fluturimit.
Makina mund të mbajë vetëm një person brenda.
Më parë është thënë se makina do të mund të zgjasë për 110 milje në fluturim dhe ka një shpejtësi prej 25 miljesh në orë në rrugë.
Prototipi i parë u prezantua në vitin 2019, 4 vite pasi inxhinierët nisën punën.
Model A mund të shitet për 300 mijë dollarë dhe mund të porositet paraprakisht. Palët e interesuara mund të paguajnë 1500 dollarë për të hyrë në “radhën e prioritetit” dhe 150 dollarë për “radhën e zakonshme”. Deri më tani ka pasur 3200 porosi, është shprehur kompania.
Një nga pyetjet kryesore mbetet nëse makina mund të drejtohet me një leje të zakonshme drejtimi.
Vitin e shkuar, Administrata Federale e Aviacionit publikoi rregulla për “pajisjet fluturuese” që përcaktojnë se vetëm ata që kanë një Licencë Piloti Privat mund ta drejtojnë një mjet të tillë./tvklan.al