Një incident i rëndë ka ndodhur në sheshin Skënderbej në Tiranë, ku një automjet tip Citroen ka thyer barrierat mbrojtëse dhe ka tentuar të përplasë këmbësorët dhe qytetarët që ndodheshin aty pranë, një pjesë e të cilëve po vaksinoheshin në stendat që janë ngritur.

Sikurse shihet në pamjet e filmuara nga kjo kamera amatore, shoferi i quajtur Arben Mema 32 vjeç nga Memaliaj bën manovra të rrezikshme në shesh duke rrezikuar jetën e qytetarëve. Ka qenë një djalë i ri i cili është futur në makinë përmes dritares së shoferit dhe ka mundur të ndalë mjetin.

Më pas shoferi është nxjerrë nga makina nga qytetarët e tjerë dhe është neutralizuar prej tyre. Ata e kanë mbajtur të shtrirë në tokë deri sa aty mbërritën forcat policore që bënë të mundur dhe arrestimin e shoferit të rrezikshëm.

Foto: Shoferi i ndaluar i makinës që u fut në sheshin Skënderbej

Tvklan.al ka mësuar nga burimet policore se shoferi i arrestuar ka qenë në gjendje të dehur. Atij i janë gjetur edhe doza kanabisi, çka dyshohet që të ketë qenë edhe në gjendje të droguar. Arben Mema është shoqëruar në komisariat për t’u marrë në pyetje.

Foto: Shoferi i ndaluar i makinës që u fut në sheshin Skënderbej

Sipas informacioneve paraprake, shoferi kishte përplasur fillimisht makina të tjera dhe më pas ishte futur në sheshin “Skënderbej”. Për fat të mirë nga ky incident i rëndë nuk ka persona të lënduar.

Heroi i kësaj ngjarje ka thënë për gazetarët se automjeti u fut me shpejtësi.

“Ndihem mirë që nuk pati lëndime njerëzish dhe nuk pati diçka të madhe. Erdhi një makinë nga pjesa mbrapa që ishte e aksidentuar dhe me shpejtësi të tejkaluar. Erdhi nga ana e Operas dhe 15-katëshi. Mendova se ishte akt terrorist. Ai u vërsul drejt turmës. Pasi ndaloi makina u afruam të shohim çfarë ndodhi. E ktheu makinën, i erdhën disa persona dhe u vërsul drejt njerëzve. Nuk e di çfarë po mendonte ai njeri po mu duk shumë e rrezikshme. Ndërhyra dhe u futa nga xhami i makinës duke u hedhur. Gjithë jetën time jam marrë me stërvitje dhe nuk e kam problem fare. Ishin qytetarë që më ndihmuan se unë isha në xham. I gjuajta me këmbë në makinë. Nuk e njoh”, u shpreh 22-vjeçari, i cili u hodh në makinën e autorit, duke e goditur me të dyja këmbët nga xhami i makinës.

Edhe dëshmitarët kanë shpjeguar dinamikën e ngjarjes.

“Nuk kishte turmë jo, shyqyr që nuk kishte. Unë isha drejt u shmanga dhe ndaloi tek kangjellat. Ndaloi dhe po rrinte, ndoshta pa dhe kamerat që ndaloi. Unë në atë moment ndeza telefonin dhe ai po rrinte në timon. Më pas u zgjua dhe filloi ti jepte mbrapsht makinës. I jepte makinës para mbrapa dhe për fat iu hodh ai çuni me këmbë dhe nuk pati viktima”.

Motrat e 32-vjeçarit ofendojnë qytetarët dhe gazetarët

Motrat e 32-vjeçarit Arben Mema nga Tepelena që u fut me makinë në sheshin Skënderbej dhe tentoi të përplaste këmbësorët, mbërritën të revoltuara në vendngjarje. Ato kërkonin vëllain e tyre, i cili në ato momente ishte shoqëruar në Komisariatin Nr.1 të Policisë së Tiranës.

Motrat e 32-vjeçarit ofenduan edhe qyterarët, gazetarët e forcat policore të cilët ndodheshin në shesh, duke i kundërshtuar përse kanë raportuar incidentin, ndërsa policëve u kërkonin llogari ku ndodhej vëllai i tyre.

Motrat e shoferit agresor përdorën fjalë fyese ndaj të pranishmëve në sheshin Skënderbej, të cilëve iu rrezikua jeta nga Arben Mema i cili tentoi të përplaste me makinë.

Arben Mema është në gjendje të dehur dhe dyshohet i droguar, pasi në momentin e ndalimit iu gjetën doza kanabisi. Ai u ndalua falë ndërhyrjes së qytetarëve, e sidomos të një të riu 22-vjeçar i cili e neutralizoi brenda mjetit. /tvklan.al