Pak minuta pasi doli nga lavazhi ku ishte parkuar, kjo makinë Benz e biznesmenit Agron Alushaj u hodh në erë me shpërthim të telekomanduar. 48-vjeçari e lëvizi automjetin vetëm 5 metra nga vendi i parkimit, kur autorët aktivizuan mekanizmin shpërthyes.

Atentati mafioz ndodhi rreth orës 16:15 minuta në lagjen “Kushtrimi” në hyrje të Vlorës. Objektiv i sulmit me eksploziv ka qenë pikërisht Alushaj, i cili u dërgua në gjendje kritike në reanimacionin e spitalit. Mjekët konstatuan se ai ka dëmtuar rëndë gjymtyrët e poshtme, ndërsa ka marrë edhe plagë në fytyrë, por është jashtë rrezikut për jetën.

Burime pranë bluve të Vlorës thanë për Televizion Klan se lënda eksplozive dyshohet të jetë vënë nga autorët poshtë sediljes së shoferit. Ende nuk dihet sasia e tritolit që u përdor, por nga pamjet duket qartë se shpërthimi ka dëmtuar edhe lokalin që ndodhet afër automjetit.

Policia thotë se qëllim i autorëve ka qenë eliminimi i 48-vjeçarit. Të njëjtat burime thanë se po hetohet mbi të shkuarën e 48-vjeçarit dhe ndonjë konflikt të mundshëm të tij për çështje biznesi. Agron Alushaj mësohet të jetë pronar i një biznesi gurore në fshatin Drashovicë të Selenicës.

Tv Klan