Dy vajza mbetën të plagosura këtë të martë, në një aksident automobilitik. Ngjarja ndodhi në aksin nacional Korçë-Pogradec në afërsi të fshatit Pocestë.

Burime zyrtare të policisë thonë se vajzat, të moshës 9 dhe 14 vjeç, po lëviznin me biçikletë kur u përplasën në rrethana ende të paqarta nga një makinë.

“Rreth orës 13:08, në fshatin Pocestë, Maliq, shtetasi G. Zh., duke drejtuar një mjet tip “Volkswagen”, ka përplasur dy të mitura, që po lëviznin me biçikletë në rrugë, të cilat u dërguan për mjekim në Spitalin e Korçës, ku ndodhen nën kujdesin e mjekëve. Grupi hetimor po punon për sqarimin e rrethanave të ngjarjes”, tha policia në një njoftim paraprak për mediat.

Ndërkohë, korrespondentja e Klan News në Korçë, Danila Zisi, duke cituar burime nga spitali, thotë se dy vajzat fatmirësisht janë jashtë rrezikut për jetën./tvklan.al