Punonjësi i policisë, 24-vjeçari Ertkon Dinaj ka përplasur për vdekje 12-vjeçarin E. Isufaj, teksa i mituri ka tentuar të kalojë rrugën. Ngjarja e rëndë ka ndodhur në orën 18:50 në aksin rural Valare-Gjirokastër.

Drejtuesi i automjetit tip “Benz”, punonjës policie në DVKM Gjirokastër banues në fshatin Valare është shoqëruar në ambientet e DVP Gjirokastër.

Gazetarja e Klan News, Dorina Muhaj raporton se nga informacionet paraprake, thuhet se shkak është bërë edhe errësira, pasi në vendin e ngjarjes nuk rezulton që të ketë ndriçim. Sipas informacioneve të gazetares Muhaj, ka qenë vetë punonjësi i policisë i cili e ka dërguar fëmijën në spital, por për shkak të plagëve të marra 12-vjeçari nuk ka arritur të mbijetojë.

Menjëherë është ngritur grupi hetimor nën drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Gjirokastër dhe me Oficerë të Policisë Gjyqësore të AMP-së, për hetimin e rrethanave të aksidentit me pasojë vdekjen e femijës./tvklan.al