Një i vdekur dhe një i plagosur është bilanci i një aksidenti të rëndë të ndodhur këtë të shtunë në Lezhë.

Viktimë mbeti 38-vjeçari Paulin Gjomarkaj, i cili ishte në timonin e kësaj makine, kur humbi kontrollin në rrethana ende të paqarta, duke u përplasur me murin në anë të rrugës, në fshatin Manati të Lezhës.

Përplasja ishte e fortë dhe Gjomarkaj nuk mundi të mbijetonte. Ndërsa pasagjeri që ndodhej në mjet me të, 27-vjeçari Nikolli Gjini, mbeti i plagosur. Ai u dërgua në spitalin e Lezhës dhe ndodhet nën kujdesin e mjekëve.

Shkaqet e këtij aksidenti të rëndë mbeten të paqarta, policia thotë se ka nisur hetimet.

“Në aksin e vjetër Lezhë- Milot, në fshatin Manati , Lezhë, mjeti me drejtues shtetasin P.Gj., 38 vjeç, ka humbur kontrollin e mjetit duke dalë nga rruga dhe është përplasur me bordurën anësore.

Si pasojë e përplasjes ka humbur jetën drejtuesi i mjetit dhe ka marrë dëmtime dhe është transportuar në spitalin Rajonal Lezhë shtetasi N.Gj., 27 vjeç, i cili ndodhej pasagjer në këtë mjet.

Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe po punon për sqarimin e plotë të shkakut dhe rrethanave të ngjarjes”, tha policia e Lezhës në një informacion paraprak për mediat. /tvklan.al