Një tjetër aksident tragjik i ka marrë jetën një shqiptari në Itali, ndërsa dy të tjerë mbetën të plagosur rëndë. Ngjarja e rëndë ndodhi orët e para të së mërkurës në rrugën Kennedy, në Pianvallico të Firences.

Viktimë nga kjo ngjarje e rëndë mbeti një 26-vjeçar, të cilin mediat fqinje momentalisht e identifikojnë vetëm me iniciale, K.E. Ndërsa i plagosur mbeti vëllai i tij 19-vjeçar, si dhe një tjetër i ri, 26 vjeç. Këta të fundit u dërguan me urgjencë në spital Borgo San Lorenzo dhe mësohet se janë në gjendje të rëndë.

Në vendin e ngjarjes shkuan 4 ambulanca, karabinierët, si dhe zjarrfikësit, të cilët bënë të mundur nxjerrjen nga automjeti të të plagosurve.

Shkaqet e këtij aksidenti tragjik nuk dihen ende, megjithatë mediat italiane shkruajnë se dyshimet janë që të rinjtë po lëviznin me shpejtësi tej normave të lejuara. Të tre shqiptarët mësohet se jetonin në zonën e Scarperia.

Ky është aksidenti i dytë që i merr jetën të rinjve shqiptarë në rrugët e Italisë në vetëm pak ditë. Të dielën, një 16-vjeçare shqiptare humbi tragjikisht jetën sëbashku me mikun e saj 19-vjeçar, pasi automjeti i tyre doli nga rruga dhe përfundoi në një kanal në Pordenone.

/tvklan.al