Një tjetër aksident i rëndë i ka marrë jetën një shqiptari në Itali në zonën e Merlengo di Ponzano. Tre djem të rinj që udhëtonin me një automjet tip Mercedes u përplasën me një shtyllë betoni.

Për pasojë, makina u përmbys dhe u shkatërrua. Nga aksidenti humbi jetën 19-vjeçari shqiptar i quajtur Klisman Gjini, pasagjer në automjet. Kurse dy personat e tjerë mbetën të plagosur. Ata janë të dy 21 vjeç dhe sipas mediave italiane raportohet se ndodhen jashtë rrezikut për jetën. Në vendngjarje shkuan forcat e zjarrfikëses, të cilët bënë të mundur nxjerrjen e të rinjve nga makina.

Nga hetimet paraprake dyshohet se aksidenti mund të jetë shkaktuar nga një pakujdesi e shoferit ose ky i fundit mund të ketë humbur kontrollin pasi e kishte zënë gjumi në timon. Ngjarja ka ndodhur rreth orës 05:20 të mëngjesit.

Brenda 24 orëve ky është aksidenti i dytë në Itali ku viktimat janë me origjinë shqiptare. Të shtunën, në zonën e Riviera Berica humbi jetën 40-vjeçari Luan Hakrama, baba i tre fëmijëve. Makina e tij u përplas me një automjet tjetër. 

/tvklan.al