Ngjarja ndodhi sapo automjeti u furnizua në karburant

Ky është momenti kur një makinë tip Volkswagen ka shpërthyer në flakë sapo është furnizuar në një karburant në afërsi të fshatit Vloçisht të Maliqit. Siç duket nga pamjet, drejtuesi dhe pasagjeri kanë mundur të dalin menjëherë nga automjeti, por kanë pësuar lëndime të shumta nga flakët dhe janë dërguar për mjekim në Spitalin e Korçës.

Automjeti ka vijuar të lëvizë për inerci derisa ka përfunduar në kanal ku ka shpërthyer në flakë. Në vendin e ngjarjes shkuan forcat zjarrfikëse që bënë të mundur shuarjen e flakëve. Policia e Korçës tha se po heton për të zbardhur shkaqet e shpërthimit.

Shpërthimi në flakë i automjeteve ka qenë i shpeshtë këtë verë në rrugët e vendit. Vetëm 2 ditë më parë një tjetër automjet luksoz u shkrumbua në Unazën e Madhe të Tiranës. Për fat të mirë drejtuesi shpëtoi pa lëndime.

83 automjete janë djegur vetëm në qarkun e Tiranës në 6 muajt e parë të këtij viti. Ekspertët thonë se më të shpeshta rastet kanë qenë në automjetet benzinë-gaz. I lartë ka qenë edhe numri i automjeteve të djegura në rrethe ku veçohet Shkodra, Durrësi, Korçë dhe Lushnja.

Tv Klan