Makinat e përdorura në vrasjet mafioze vidhen në Fushë-Krujë

Makinat e përdorura në vrasjet mafioze vidhen në Fushë-Krujë

15:41 07/09/2019

Pas vrasjes, autorët djegin mjetet për të humbur gjurmët

Atentatet mafioze në Shqipëri edhe pse mund të ndryshojnë nga mënyra e ekzukutimit, ato kanë një të përbashkët. Pothuajse të gjitha lënë pas viktimën dhe një makinë të djegur që në shumicën e rasteve rezulton e vjedhur.

Në vrasjen e Santjago Malkos në Tiranë, autorët përdorën një makinë “Mercedez-Benz” që u gjet e djegur nga policia. Mjeti rezultoi i vjedhur në Lezhë, ndërsa targat në Fushë-Krujë. Duket se e njëjta skemë u përdor edhe në ekzekutimin e avokatit Ravik Gurra në Elbasan. Fill pas krimit, policia gjeti një Benz në djegie e sipër që ishte vjedhur në zonën e Fushë-Krujës. Edhe Durrësi u trondit nga atentatet mafioze gjatë këtij viti.

40-vjeçari Feriz Bardhi u vra në derën e shtëpisë. Më pas autorët dogjën mjetin poshtë urës së Gjolës, ndërsa hetuesit kanë dyshime se u vodh në Fushë-Krujë. E njëjta histori edhe në eleminimin e vlonjatit Edison Harizaj në Durrës. Atentati në ecje e sipër u bë nga një makinë që më pas u gjet e djegur në zonën e Shënavlashit dhe dyshimet janë se edhe kjo është vjedhur në zonën mes Lezhës e Fushë-Krujës. Por ka dhe ngjarje kriminale ku mjetet e përdorura janë vjedhur jashtë territorit shqiptar.

Në ekzekutimin e ish-efektivit Arben Bilali, autorët përdorën një makinë luksoze, targat e të cilit ishin vjedhur në Vlorë. Nga hetimet doli që makina është vjedhur në një nga vendet e Bashkimit Europian dhe kishte hyrë ilegalisht në vendin tonë. Për këto ngjarje, policia nuk ka ende një autor dhe vazhdojnë të jenë të pa zbardhura.

Tv Klan

Të ngjashme
UKT