40 makina të vjetra u ekspozuan në qendër të qytetit

Pas Tiranës, makinat Retro janë ndalur në qendër të qytetit të Durrësit.

Dhjetëra makina të koleksionit shqiptar zgjuan kureshtjen e të apasionuarve, por edhe nostalgjikëve të disa prej markave më të njohura, të cilat me dizajnin dhe elegancën e tyre, kanë bërë një pjesë të historisë së automobilizmit në vendin tonë.

Për organizatorët parada e makinave Retro në Durrës, vjen si një surprizë për të gjithë dashamirësit e nostalgjisë, banorët dhe për turistët e qytetit në këtë sezon veror të pazakontë për shkak të pandemisë.

Admirues të shumtë të modeleve të vjetra kanë pozuar pranë makinave të rreshtuara në sheshin qendror të Durrësit, ndërsa më pas të gjithë automjetet kanë bërë një xhiro në rrugët e qytetit.

Në këtë ekspozitë janë rreth 40 mjete, të mbledhura dhe të restauruara nga koleksionistë shqiptarë nga brenda dhe jashtë kufirit.

Tv Klan