Banorët shprehen se përmbytjet i vranë dyfish, mungesa e ujit të pijshëm po krijon një krizë tjetër

Për banoren e Khersonit, Iryna Radetska, përmbytja katastrofike e qytetit të saj pas shkatërrimit të digës gjigante Kakhovka është kapitulli i fundit pas më shumë se një vit vuajtjesh gjatë luftës.

Shkatërrimi i digës gjigante Nova Kakhovka në Ukrainën jugore ka lënë mijëra njerëz pa ujë të pijshëm dhe ka pakësuar furnizimet ushqimore në kryeqytetin rajonal Kherson.

“Thonë se një dashuri e re vret të vjetrën. Ndoshta është e njëjta gjë me tragjedinë. Një tragjedi e re e bën të heshtë të vjetrën, pasi nuk mund ta vrasësh plotësisht.”

Këto ditë, shkolla e Radetskës jep mësim vetëm online për shkak të rrezikut të bombardimeve dhe përmbytjeve. 31 nxënësit në bregun lindor të kontrolluar nga Rusia u godit shumë rëndë nga përmbytjet, duke përfshirë qytetin Oleshky.

“Situata atje është e keqe, dikur kemi pasur të njëjtin problem, lidhja celulare atje është shumë e keqe. Ne nuk kishim kohë as të përgatiteshim për të marrë gjërat tona nga shtëpitë. Ishte më ndryshe kur rusët bombardonin sepse ishim të përgatitur për t’u larguar.”

Nga rreth 1400 fëmijë të regjistruar në shkollën e saj, pak më shumë se 100 janë ende në rajonin e Khersonit. Pjesa tjetër janë në rajone të tjera të Ukrainës ose jashtë saj.

Forcat ruse hodhën në erë digën e madhe në Ukrainën jugore në qytetin Nova Kakhovka në pjesën e kontrolluar nga Rusia të rajonit Kherson.

Imazhet në mediat sociale tregojnë ende një çarje masive në digën në Nova Kakhovska, në verilindje të qytetit ukrainas Kherson. 

Diga, 30 metra e lartë dhe 3.2 km e gjatë, u ndërtua në vitin 1956 në lumin Dnipro si pjesë e hidrocentralit Kakhovka. Ajo gjithashtu furnizon me ujë gadishullin e Krimesë, të aneksuar nga Rusia në 2014, dhe centralin bërthamor të Zaporizhzhia, i cili është gjithashtu nën kontrollin rus.

Rezervuari i digës mban 18 metra kub ujë – një vëllim afërsisht i barabartë me Liqenin e Kripur të Madh në shtetin amerikan të Utah.

Leonid Remyha, mjeku kryesor i një prej spitaleve të Khersonit, kujton fluksin e madh të njerëzve që erdhën në spital pas shpërthimit të digës në 5 Qershor. Ata ishin të lagur, shumica të sëmurë dhe të mërzitur. 

“Ditën e parë pranuam 136 persona, 22 prej të cilëve kishin probleme me lëvizjen, shumica e tyre ishin në karrige me rrota. Të gjithë ishin në gjendje stresi. Shumica e tyre u sollën me rroba të lagura dhe asgjë tjetër.”

“Ne u kujdesëm për ata, i regjistruam me emra dhe mbiemra të rremë në mënyrë që FSB të mos i kapte.”

Si shumë banorë që kanë mbetur, Radetska është e bindur se qyteti do të rimëkëmbet dhe do të lulëzojë, por shprehet se procesi të jetë i gjatë dhe i vështirë. Çlirimi i Khersonit solli gëzim tek shumë banorë. Por euforia ishte jetëshkurtër duke pasur parasysh bombardimet nga rusët përtej lumit Dnipro që filloi të godiste qytetin pothuajse çdo ditë.

Por përmbytjet po shkaktojnë një tjetër tragjedi përveç luftës. Shumë rrugë pranë lumit Dnipro mbetën ende nën ujë.

“Gjithçka është e përmbytur. Varrezat janë përmbytur, shtëpitë janë shkatërruar .Kjo është luftë ekologjike.”

“Ata nuk na vranë, kështu që na vranë përmbytjet. Uji do të tërhiqet dhe ne do të kërkojmë sendet dhe kafshët tona nën baltë.”

“Nevoja për ujë të pijshëm është akute. Qëkur diga shpërtheu kemi dërguar mbi njëqind kontejnerë që shpërndanin ujë por kërkesa do të rritet me kalimin e javëve. Njerëzit kanë nevojë për ujë, kanë frikë se mos sëmuren, shqetësohen sepse uji nga çezmat është i papërdorshëm.”

Numri i të vdekurve nga përmbytjet në dy qytete të kontrolluara nga Rusia në Ukrainën jugore është rritur dhe dhjetra rezultojnë të zhdukur. Më shumë se 7,100 njerëz janë evakuuar nga zonat nën kontrollin rus, përfshirë 421 fëmijë. Vendbanimet përgjatë lumit Dnipro dhe çdo gjë është shkatërruar.

Ushtarët ukrainas përdorën drone ushtarake për të shpërndarë ujë fshatarëve të bllokuar në katet e sipërme të shtëpive të tyre nga përmbytjet në Ukrainën jugore të kontrolluar nga Rusia. Nga ana tjetër, minat tokësore të shpërndara nga përmbytjet mund të përbëjnë një rrezik të madh për civilët për dekadat e ardhshme.

Ukraina ka akuzuar Rusinë për hedhjen në erë të digës, e cila kishte qenë nën kontrollin rus që në javët e para të atij që Rusia e quan një “operacion ushtarak special” më shumë se një vit më parë. 

Qeveria e instaluar nga Rusia do të kompensojë familjet e prekura deri në 10,000 rubla  dhe deri më tani kanë aplikuar mbi 500 njerëz.

Klan News