Prokuroria në Podgoricë ka ngritur padi ndaj kryetarit të Komunës së Tuzit, Nik Gjeloshaj, shefit të Policisë Komunale, Rexhep Çunmulaj dhe një zyrtari të policisë së komunës, në lidhje me shkeljen e rregullave për frenimin e pandemisë.

Sipas njoftimit të prokurorisë ata akuzohen për “thirrje për rezistencë”, që konsiderohet vepër penale.

“Më 24 shkurt, ai (Gjeloshaj) organizoi takim me pronarët e objekteve të hotelerisë nga Tuzi dhe u bëri thirrje, të hapin objektet e tyre, gjë që pronarët e bënë ditën e nesërme, në kundërshtim me urdhrin e Ministrisë së Shëndetësisë, e cila ndalonte punën e objekteve hoteliere”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë Themelore në Podgoricë.

Zyrtarët vendorë në Tuz nuk kanë reaguar lidhur me padinë. Megjithatë, zyrtari i kësaj komune, Rexhep Çunmulaj i tha Zërit të Amerikës se nuk kanë marrë zyrtarisht asnjë padi nga Gjykata Themelore.

“Për padinë u njoftuam nga mediat malazeze”, tha ai.

Zoti Çunmulaj, vuri në dukje se gjatë ditëve në vijim do të qartësohen qëndrimet e zyrtarëve vendorë rreth kësaj padie.

Kryetari i Komunës së Tuzit, Nik Gjeloshaj pas marrjes në pyetje nga Prokuroria Themelore me 4 mars deklaroi para gazetarëve se ndjehet i “ofenduar nga padia kundër tij, por i respekton institucionet dhe me qetësi pret vendimin për këtë çështje”.

Zoti Gjeloshaj këmbënguli para mediave në qëndrimin e tij se atë ditë ka mbrojtur Kushtetutën dhe si Kryetar i Komunës, e kishte detyrim të mbrojë ekonominë e vendit.

“I qëndroj mendimit se ky ishte një vendim politik dhe se fjala ishte për një diskriminim. Se kjo ishte e vërtetë, e dëshmon konfirmimi që morëm pas 48 orësh, kur masat kundër pandemisë për Komunën e Tuzit u ndryshuan,” tha Gjeloshaj.

Protesta në Tuz
Protesta në Tuz

Qytetarët e Tuzit në Mal të Zi, me shumicë shqiptare, me 25 shkurt bllokuan aksin rrugor Podgoricë-Tuz që është edhe rrugë ndërkombëtare me Shqipërinë, në shenjë proteste ndaj masave epidemiologjike të mbylljes së objekteve hoteliere në këtë komunë.

Kryetari i Komunës së Tuzit , Nik Gjeloshaj i ka urdhëruar të gjitha bizneset që të hapen dhe të mos zbatojnë masat e miratuara të Ministrisë së Shëndetësisë kundër pandemisë.

Pas protestave në Tuz, autoritetet shëndetësore të Mal të Zi ndryshuan masat kundër pandemisë në Komunën e Tuzit. Ministria e Shëndetësisë i bëri këto ndryshime pasi, sipas tyre, vendimet paraprake ishin të gabuara dhe si pasojë në Komunën e Tuzit u mbyllën restorantet dhe baret edhe pse ky qytet gjendej në të ashtuquajtur “zonë e gjelbër”./VOA