Vlen edhe për vizitorët që kanë kaluar nëpër këto vende për të kontrolluar valën e pandemisë

Maldivet kanë ndaluar turistët nga Azia e Jugut. Vendi nuk do të presë vizitorë që vijnë nga këto zona dhe duan të qëndrojnë në destinacion turistik të njohur për pasanikët.

Ministria e Turizmit dhe e Emigracionit, ka njoftuar ndalimin e përkohshëm për turistet nga India, Nepali, Butani, Afganistani, Bangladeshi, Pakistani dhe Sri Lanka. Personat e ndaluar janë edhe ata   persona që kanë kaluar në ato vende.

Autoritetet vendase po përpiqen të kontrollojnë valën e rritjes së rasteve me koronavirus. Vendimi do të jetë në fuqi deri në një urdhër të dytë.

Maldivet ishte një nga vendet e para që u rihap plotësisht për turistët vitin e kaluar. Vendi përrallor është kthyer në destinacionin e parë për të gjithë ata turistë që synojnë pushimet luksoze. Gjatë karantinës yjet e Hollivudit u arratisën në Maldive, por kjo solli rritje të zemëratës për ata qytetarë që po respektonin rregullat e Covid-19 duke qëndruar në shtëpi.

Klan News