Pas policisë shqiptare reagoi edhe Ministria e Brendshme e Malit të Zi, lidhur me hyrjen në territorin e vendit fqinj të ish-kryeministrit maqedonas,Nikolla Gruevski. Përmes një deklarate për shtyp, kjo ministri konfirmoi se Gruevski ka hyrë në Mal të Zi më 11 Nëntor dhe nga dalë nga territori në të njëjtën datë. Autoritetet malazeze nënvizojnë se policia ka kryer të gjitha procedurat në respekt të ligjit.

Në Hungari, Ministri i Jashtëm sqaroi se çështja e Gruevskit do të trajtohet nga ana juridike dhe jo politike. Ndërsa opozita në Budapest ka shpërndarë pankarta ku shihet ish-Kryeministri maqedonas me kreun e qeverisë hungareze Viktor Orban.

Prokurorët në Shkup kanë nisur hetimet për zbulimin e bashkëpunëtorëve të mundshëm për arratisjen e Gruevskit. Dyshohet se ish-Kryeministri është ndihmuar nga oficerë në Ministrinë e Brendshme maqedonase. Një hetim po zhvillohet edhe në Ministrinë e Brendshme për të zbuluar bashkëpunëtorët e ish-Kryeministrit.

Mediat në Maqedoni raportojnë se pavarësisht arratisjes së tij, Nikolla Gruevski do të gjykohet në mungese, në total për 10 vepra penale.

Tv Klan