Prokuroria malazeze njoftoi se ka nisur një hetim pasi Autoriteti i Statistikave të Malit të Zi, (Monstat) konfirmoi se 16 nga regjistruesit e tij dhe një instruktor u përjashtuan nga fushata e regjistrimit të popullsisë.

Zyrtarët thanë se individët në fjalë dyshohet se kishin përdorur në terren stilolapsa, boja e të cilëve mund të fshihej dhe disa u zbuluan se kishin kopje të ndryshme nga ato origjinale.

Pas informacioneve të konfirmuara nga Monstat, Departamenti i Policisë për Krim dhe Korrupsion dhe Prokuroria i kanë kërkuar Monstatit që të paraqesë listat origjinale për rastet kur dyshohet për shkelje.

Përfaqësuesit e partive politike opozitare në Malin e Zi kërkuan zhvillimin e hetimeve për të gjetur nëse shkeljet ishin të organizuara. Ata kanë kërkuar një kontroll të të dhënave të mbledhura nga regjistruesit e përjashtuar, përpara se ato të futen në regjistrin përfundimtar.

Mjetet e shkrimit, për rastin në fjalë, dyshohet se përmbajnë bojë e cila fshihet lehtësisht në temperatura më të larta, duke mos lënë gjurmë në sipërfaqen e fshirë.

Mali i Zi filloi më 3 dhjetor procesin e regjistrimit të popullsisë pas disa shtyrjeve.

Sipas njoftimeve të mëparshme, regjistrimi i popullsisë në Mal të Zi duhet të fillonte në tetor, por kryeministri Milojko Spajiç ofroi shtyrjen për disa kohë, pasi partia më e madhe opozitare, Partia Demokratike e Socialistëve kërkoi plotësimin e të gjitha kushteve të parashikuara në marrëveshjen për regjistrimin e popullsisë që kishte nënshkruar me kryeministrin.

Regjistrimi i popullsisë në Mal të Zi, sipas analistëve është shndërruar në një çështje politike mes grupimeve më të mëdha politike pro-malazeze dhe pro-serbe. Analistët theksojnë se regjistrimi i popullsisë mund të ndryshojë strukturën kombëtare të popullsisë në Malin e Zi.

Edhe në raportin e Komisionit Evropian u theksua se regjistrimi i popullsisë dhe banesave kërkon menaxhim të kujdesshëm nga autoritetet, veçanërisht kur bëhet fjalë për çështje të ndjeshme që lidhen me etninë, fenë dhe gjuhën.

Regjistrimi i fundit u zhvillua në vitin 2011 në përputhje me rekomandimet ndërkombëtare, me qëllim përcaktimin e të dhënave statistikore për popullsinë, ekonomitë familjare dhe banesat. Rezultatet e para të regjistrimit treguan se Mali i Zi ka 625 266 banorë dhe 194 795 familje.

Sa i përket përkatësisë kombëtare dominoi komuniteti malazez me 44,98 %, pasuar nga komuniteti serb 28,73%, boshnjakët 8,65% dhe shqiptarët me 4.91%./VOA