Ndër shtetet që kanë marrë masa të reja për parandalimin e përhapjes së virusit Covid-19 është edhe Mali i Zi, të cilat fillojnë dhe zbatohen prej ditës së sotme.

Ndër masat e marra nga autoritetet lokale atje preken edhe shtetasit shqiptarë. Ata që duan të hyjnë në Mal të Zi duhet të jenë të pajisur me rezultat negativ jo më të vjetër se 72 orë.

Megjithatë atyre që do t’u duhet të përdorin Malin e Zi si tranzit, ambasada shqiptare në Podgoricë thotë se do t’u kontrollohet koha e hyrjes në vend pa mundësi qëndrimi.

“Sa i përket hyrjes në Mal të Zi, shtetasve shqiptarë, ashtu edhe si shtetasve të tjerë të huaj, u mundësohet hyrja në Mal të Zi vetëm nëse janë të pajisur me rezultat negativ të testit PCR dhe jo më të vjetër se 72 orë.

Shtetasve shqiptarë u mundësohet transiti i lirë përmes Malit të Zi, duke kontrolluar kohën e hyrjes në vend, kalimin e pikave të kontrollit dhe daljen nga Mali i Zi, pa mundësi qëndrimi në vend”, thuhet në njoftimin e ambasadës shqiptare.

Në Mal të Zi të premteve nga ora 22:00 e deri t hënave në orën 5:00 do të ndalohet lëvizja dhe trafiku ndërurban.

Sa i përket turistëve të huaj që do të akomodohen në hotelet malazeze, njoftohet se hotelet dhe restorantet do të qëndrojnë hapur vetëm në oraret 07.00 deri në orën 16.00, ndërsa më pas do të shfrytëzohet vetëm shërbimi në dhomë./tvklan.al