Rritja e numrit të të infektuarve, sjell masa të reja shtrënguese

Ndryshe nga Shqipëria pas Kosovës, Mali i Zi ka vendosur të rimbyllë plotësisht hotelet, restorantet dhe klubet e natës. Pas orës 22:00 deri në orën 05:00 të mëngjesit është ndalur edhe qarkullimi i njerëzve. Mali i Zi e ka marrë vendimin që të rikthejë masat shtrënguese për shkak të rritjes së numrit të viktimave dhe të të infektuarve me Covid-19.

Kjo është pamja në Podgoricë, Kotor, Nikshiq, Berane, Andrijevicë dhe Rozhajë, qytetet me numrin më të lartë të të prekurve me koronavirus.

Duke folur për fillimin e shkollës, Zv/Drejtori i Institutit Shëndetësor Publik, malazez Senad Begić tha se në komunat ku nuk ka një numër të madh të pacientëve, nuk ka asnjë arsye që shkollat ​​të mos fillojnë. Vetëm në orët e fundit Mali i Zi raportoi 116 persona të prekur me Covid-19. Aktualisht ky vend ka 3699 raste aktive me Covid-19, ndërsa ka shënuar në total 158 viktima.

Autoritetet malazeze presin që në 10 deri në 14 ditët e ardhshme të kenë ulje të rasteve nga këto masa kufizuese. Më 25 Maj, Kryeministri dhe Ministri i Shëndetësisë në Podgoricë, deklaronin në mënyrë triumfale se Mali i Zi ishte shteti i parë në Evropë, i cili kishte arritur ta çrrënjoste koronavirusin dhe hapi dyert për turistët.  

Shteti me 620 mijë banorë, i varur kryesisht nga turizmi, kishte mbyllur kufijtë, aeroportet e shkollat në muajin Mars. Për të parandaluar përhapjen e Covid-19, Mali i Zi publikoi edhe listën me emrat dhe adresat e personave në vetëizolim, gjë që nxiti kritika nga grupe për të drejtat e njeriut dhe mbajti të izoluar një rajon të tërë për disa javë.

Rikthimi i masave shtrënguese dhe shtimi i të infektuarve me Covid-19, këto orët e fundit në Malin e Zi, u dha të drejte skeptikëve që kishin vënë në dyshim fitoren, duke thënë se infeksionet e mundshme mund të jenë të heshtura për shkak të numrit të pamjaftueshëm të testimeve.

Klan Plus