Shefi i diplomacisë malazeze Filip Ivanović e konsideron ambicioz por të arritshëm mbylljen e të gjithë kapitujve të negociatave deri në fund të vitit 2026 si dhe anëtarësimin e plotë në BE në vitin 2028.

“Synimi ynë është mbyllja e të gjithë kapitujve të negociatave deri në fund të vitit 2026 dhe aneëtarësimi i plotë në BE në vitin 2028. Ky është sigurisht ambicioz, por i arritshëm nëse ka vullnet të fortë politik, angazhim institucional dhe një qasje serioze ndaj reformave të nevojshme. Është e qartë se sot ky proces nuk varet ekskluzivisht nga përpjekjet e brendshme, por është formësuar kryesisht nga ndryshimet në shkallë globale. Ripërcaktimi i marrëdhënieve transatlantike, nevoja e BE-së për të konsoliduar hapësirën e vet, si dhe rrethanat gjeopolitike të shkaktuara nga lufta në Ukrainë, e bëjnë zgjerimin e Bashkimit jo vetëm një çështje teknike, por edhe gjeostrategjike”, shprehet ministri Filip Ivanović.

Mali i Zi është shteti kandidat që ka avancuar më shumë në negociata, por po luan një rol kryesor edhe si faktor stabiliteti në rajon ndaj Ivanović nuk pret që Kroacia të vazhdojë të bllokojë Malin e Zi në rrugën e tij drejt BE-së.

“Mali i Zi dhe Kroacia kanë përgjegjësinë për të zgjidhur çështjet e hapura përmes dialogut konstruktiv, në frymën e respektit të ndërsjellë dhe vlerave evropiane.  Kroacia ka mbështetur në vijimësi anëtarësimin e Malit të Zi në BE, si në planin praktik ashtu edhe në atë politik, ndër të tjera edhe përmes pjesëmarrjes aktive në grupin joformal “Miqtë e Ballkanit Perëndimor”, i cili përfshin edhe shtete të tjera anëtare të BE-së që mbrojnë fuqishëm integrimin evropian të rajonit tonë. Marrëdhëniet e mira fqinjësore dhe bashkëpunimi rajonal janë parakusht për integrimin evropian, por  nga ana tjetër nuk eshte përdorimi i anëtarësimit të mundshëm në BE si instrument për kushtëzimin e shteteve kandidate për çështje dypalëshe. E ardhmja evropiane e Malit të Zi nuk duhet dhe nuk mund të varet ekskluzivisht nga çështjet dypalëshe”, shprehet ministri.

Klan News