Partitë shqiptare garojnë në dy koalicione

Mali i Zi voton këtë të dielë për të zgjedhur Parlamentin e ri 81 vendësh. Në këto zgjedhje, të cilat për shkak të klimës që i parapriu, kanë ngjallur një interes të madh jo vetëm brenda vetë Malit të Zi por edhe në vendet fqinje, do të garrojnë 11 lista kandidatësh, 6 lista të koalicioneve dhe 5 të partive politike.

Partia Demokratike e Socialistëve (DPS) e Presidentit Milo Gjukanoviç synon fitoren e njëmbëdhjetë pas 30 vitesh në pushtet, ndërsa koalicionet opozitare “Për ardhmërinë e Malit të Zi” dhe “Kombi ynë është paqja” kërkojnë ta sfidojnë.

Ndërkohë që sontazhet parazgjedhore nxjerrin fituese me 35% të votave partinë e Presidentit Milo Gjukanoviç.

Partitë shqiptare garojnë të ndara në dy grupime: Lista shqiptare dhe Koalicioni Shqiptar.

Lista shqiptare është grupimi më gjithëpërfshirës, pjesë e të cilit janë 5 parti shqiptare, Alternativa, Forca, Lidhja Demokratike, Unioni i Tuzit dhe Perspektiva. 

Ky grupim synon të marrë të paktën 2 deputetë në Parlamentin 81 vendësh të Malit të Zi. Pjesë e këtij koalicioni janë edhe Nik Gjeloshaj që fitoi bindshëm zgjedhjet në komunën e riformuar të Tuzit në Mars të vitit të kaluar dhe Genci Nimanbegu, një ndër 3 deputetët shqiptarë të legjislaturës së fundit.

Në vendin fqinj janë 24 mijë shqiptarë me të drejtë vote, por pjesa më e madhe jetojnë jashte trojeve. Ndaj diaspora ka një rol të rëndësishëm në rezultatin final.

Në këto zgjedhje kanë të drejtën e votës rreth 540 mijë zgjedhës, ndërsa janë ngritur mbi 1200 qendra votimi në gjithë Malin e Zi.

Krahas zgjedhjeve parlamentare, në Mal të Zi zhvillohen edhe zgjedhjet për pushtetin vendor në 5 komuna: Kotorr, Budva, Tivar, Guci dhe Andrijevice.

Tv Klan