Ministria e Shëndetësisë të Malit të Zi njoftoi se si pasojë e zbutjes së dukshme të situatës epidemiologjike do të hyjnë në fuqi masat e reja më të lira, të cilat do të vlejnë nga e mërkura.

“Në të gjithë territorin e Malit të Zi, ndalimi i lëvizjes, që ishte caktuar nga mesnata deri në pesë të mëngjesit, hiqet plotësisht. Po ashtu edhe ndalimi i trafikut mes qyteteve, i cili ishte në fuqi gjatë fundjavave, hiqet tërësisht ”, theksohet në njoftimin e ministrisë.

Lehtësimi i masave do të shoqërohet me detyrimet për të mbrojtur shëndetin e popullatës duke ruajtur distancën sociale dhe duke përdorur maskat në ambientet e mbyllura.

Në Mal të Zi vazhdon vaksinimi masiv i popullatës dhe dozën e parë të vaksinave deri tani e kanë marrë gati 100 mijë banorë, ose 19% e popullatës në moshë madhore.

Numri i përgjithshëm i rasteve aktive me COVID-19 në Mal të Zi është 1755, ndërsa që nga fillimi i pandemisë, numri i përgjithshëm i rasteve të regjistruara është 98365.

Ndërkaq, numri i viktimave nga COVID-19 që nga fillimi i pandemisë është 1544 persona./VOA