I bindur se zgjidhja e situatës së vajzës së tij gjendet në kanunin e Lekë Dukagjinit, Maliqi nuk pranon asnjë arsyetim ligjor. Ai nuk e pranon në shtëpi të bijën, Erjonën e cila e ka sjellë në “Shihemi në Gjyq” sepse “e ka ndarë me kanun”. Ndërmjetësja e rubrikës së “E Diela Shqiptare” në Tv Klan, Eni Çobani, i kërkon që ta lërë dhe t’i nënshtrohet ligjit. Maliqi e konsideron ligjin “me pluhur e ndryshk” si dhe fajëson figurat politike për të, madje ka një kërkesë për ndërmjetësen.
Eni Çobani: Zoti Maliq, do më lësh mua ta shpjegoj me ligj apo do vazhdosh ti ta shpjegosh me kanun?
Maliq: Në qoftë se ti e pastron ligjin, hiqi ato pluhurat e ligjit…
Eni Çobani: Kush janë pluhurat e ligjit?
Maliq: Ligjin e ke me pluhur, me ndryshk. Shkunde mirë, pastroje mirë ligjin dhe jam karshi teje.
Eni Çobani: Po çfarë kërkon ti me këtë shkundjen, çfarë mund të bësh?
Maliq: Hiqi ligjet e Edi Ramës e të Sali Berishës.
Ardit Gjebrea: Atëherë unë them ta lëmë ligjin në dorën e Maliqit.
Eni Çobani: Po e lamë ashtu do shkojmë te kanuni pastaj, ne s’jemi për kanunin.
Ardit Gjebrea: Atëherë si pastrohet ligji? Çfarë duhet t’i pastrojmë ne ligjit? Cili është pluhuri që duhet t’i pastrojmë ne ligjit?
Eni Çobani: Siç e kupton Maliqi do të thotë që ne të pastrojmë ato pjesë për të nxjerrë kanunin dhe të shkojmë te kanuni, por ne kanunin ia kemi lënë historisë. Ne sot jemi me ligjin, me Kushtetutën dhe me këtë do mbrohet vajza jote që ka ardhur sot këtu! Lërjani kanunin historisë!
Maliq: Merre çoje ku të duash, unë me kanunin e Lekë Dukagjinit s’kam ku e çoj më./tvklan.al