Importet nga Serbia u rriten me 143% në 6 mujorin e parë të 2021

Qeveria “Kurti” ka refuzuar deri më tani nismën e “Ballkanit të Hapur” me argumentin se ajo dëmton  interesat e Kosovës në raport me Serbinë edhe në fushën ekonomike, ku një peshë kryesore e zë shkëmbimi i mallrave dhe produkteve. Por të dhënat zyrtare të agjencisë së statistikave  dhe doganave të Kosovës, tregojnë se pavarësisht asaj çka deklaron qeveria në publik, Serbia tashmë e ka pushtuar serish tregun kosovar me mallra dhe produktet e saja.

Gjatë 6 muajve të parë të 2021, Serbia ka pjesëmarrjen më të madhe të importeve në Kosovë, krahasuar kjo me të gjitha vendet e Ballkanit , përfshi edhe Shqipërinë, duke bërë që qytetarët dhe bizneset nga Kosova të blejnë më shumë mallra serbe. 

Pas një rënieje të fortë në vitin 2019, kur Kosova zbatoi reciprocitetin me Serbinë që solli pothuajse bllokimin e importeve, në periudhën janar-qershor 2021, Serbia kaloi sërish në vend të parë nga rajoni i CEFTA-s, që përfshin Shqipërinë, Kosovën, Malin e Zi, Maqedoninë e Veriut, Bosnjë-Hercegovinën.

Sipas të dhënave të Agjencisë së Statistikave të Kosovës, Serbia renditet e para nga shtetet me importin më të lartë me 6.4%, për 6- mujorin e parë, kurse Shqipëria renditet e dyta me 5.6% dhe Maqedonia e Veriut e treta me 5.2%. 

Krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë importet serbe u rritën me 143%, ato nga Shqipëria me 61%, nga Maqedonia e Veriut me 26%.

Por krejt e kundërta ndodh me eksportet ku tregu kryesor për mallrat nga Kosova nuk është Serbia, por Shqipëria. Në periudhën janar-qershor 2021, eksportet nga Kosova drejt Shqipërisë zinin 15.3 për qind e totalit, ndërsa ato drejt Serbisë vetëm 5.6%.

Tv Klan