Vijojnë kërkimet për aktoren 33-vjeçare. Nëna e saj fotografohet në gjunjë përballë liqenit ku dyshohet se u mbyt

Nëna e yllit të serialit Glee, Naya Rivera, e cila u zhduk 4 ditë më parë, u fotografua në gjunjë, përballë liqenit ku vajza e saj dyshohet se është mbytur. Imazhet e publikuara në mediat ndërkombëtare tregojnë nënën e Rivera me krahët e hapur përballë liqenit, ndërsa djali i saj qëndron në krah.

Kërkimet për 33-vjeçaren hynë sot në ditën e katërt, pas zhdukjes së saj ndërkohë që po lundronte me varkë në Liqenin Piru në Ventura të Kalifornisë, së bashku me djalin 4-vjeçar.

Autoritetet thonë se kërkimet janë të vështira për shkak të thellësisë dhe ujit të turbullt të liqenit. Ata parashikojnë që do të duhen edhe 4-5 ditë të tjera për gjetjen e trupit të aktores.

Rivera besohet se u mbyt në liqenin e Kalifornisë së Jugut të mërkurën. Djali i saj 4-vjeçar u gjet vetëm, në një varkë që aktorja kishte marrë me qira. Ai u tha hetuesve se “mami u hodh në ujë, por nuk doli më”.

Josey është shëndoshë e mirë dhe po qëndron me familjarët e tij. Babai i djalit është aktori Ryan Dorsey. Ai u ndaj nga Naya në 2018-n dhe luan serialin Ray Donovan.

Dyshimet janë se 33-vjeçarja mund ketë goditur aksidentalisht më kokë gurët që ndodhen nën sipërfaqen e liqenit në momentin që është hedhur në ujë.

Fansat e aktoret prej ditësh tashmë kanë vërshuar në Twitter duke shprehur hidhërimin për humbjen e saj, ndërsa kërkojnë me ngulm nga autoritetet gjetjen e trupit./tvklan.al