Shkarkimi i Jose Mourinho nuk ishte vetëm një lloj çlirimi për lojtarët dhe tifozët e Manchester United. Tashmë në merkaton e Janarit, solli edhe ndryshimin e planeve për blerje apo shitje futbollistësh. Klubi anglez kërkon mbrojtës dhe do të përqendrojë përpjekjet në afrimin e Kalidou Koulibaly ose Milan Škriniar. Shënjestra e Manchester ka ndryshuar nga lojtarët e Fiorentinës tek ata të Napolit dhe Interit.

Operacioni duket se do të kërkojë pak kohë, pasi sipas mediave angleze, zyrtarë të klubit janë shprehur se për momentin duhet të tregohen të kujdesshëm në ndryshimet që do të bëjnë këtë muaj. Por gjithsesi raportohet se financat janë gati për dy qendërmbrojtësit të cilët pritet të kushtojnë rreth 120 milionë Euro.

Edhe trajneri i komanduar Ole Gunnar Solskjaer do të ketë fjalën e tij nëse klubi do të vendosë të bëjë ndonjë lëvizje, pasi sikurse thonë mediat britanike ai është shprehur mëse i kënaqur të punojë me futbollistët që trashëgoi nga Mourinho. Manchester United gjendet në Dubai për disa ditë stërvitje në temperaturë të ngrohtë, por do të kthehet në Angli për tu përballur të shtunën me Tottenham në ndeshjen e javës së 22 të Premier League.

Tv Klan