Sulmuesi shqiptar më në formë i momentit është i dëmtuar. Rey Manaj mban në ankth kombëtaren, përpara sfidave kualifikuese të qershorit me Serbinë dhe Letoninë.

28-vjeçari u la jashtë ekipit të Sivvaspor, për sfidën e mbijetesës në Superligën turke kundër Samsunspor. Edhe pse u spekulua për probleme me trajnerin, apo se është mbipeshë, ishte vetë klubi që sqaroi situatën.

Në njoftimin për lojtarët që mungojnë në ndeshjen e së dielës, Sivasspor theksoi se Manaj vuan prej kohësh nga një problem në rrëzat e kofshës.

Edhe pse gjatë kësaj kohe ka sakrifikuar duke zbritur në fushë, në ditët e fundit dhimbja ka qenë aq e madhe, duke bërë që sulmuesi të mos stërvitej me ekipin.

Mungesa e Manaj është një humbje e madhe për ekipin, me sulmuesin që ka shënuar 12 gola dhe ka dhënë 5 asist në këtë sezon. Deri në pritje të raportit mjekësor nga klubi turk, edhe te Shqipëria mbeten të shqetësuar për gjendjen e lojtarit.

Tv Klan