“Mos dëgjoni broçkulla por vaksinohuni. E vetmja armë për të shpëtuar jetën tuaj dhe të të afërmve”

Ministrja e Shëndetësisë Ogerta Manastirliu, nëpërmjet një video mesazhi u ka bërë apel qytetarëve që të vaksinohen.

“Mos e neglizhoni vaksinimin duke dëgjuar broçkullat e kujt nuk ka as edhe një minimum humanizmi dhe përgjegjshmërie. Sfida që disa i bëjnë shkencës dhe mjekësisë, refuzimi për të pranuar mendimet e ekspertëve më të mirë në botë, që thonë se vaksina është arma më e fuqishme që ka sot njerëzimi, është një mendjelehtësi që ka pasoja të rënda. Dhe pasojë më të rëndë se sa humbja e jetës, unë nuk di të ketë”, tha ministrja.

Duke u ndalur tek situata në spitale, Ministrja e Shëndetësisë tha se edhe pse ka një rënie të lehtë të të infektuarve, fatalitetet janë në rritje.

“Sipas raportimit nga spitalet COVID 95 % e rasteve shtrimeve në spital janë të pavaksinuar. Po kështu shumica dërrmuese e viktimave në spitalet Covid, janë jetë njerëzish që e humbën luftën, për shkak të mosvaksinimit”.

Sipas Manastirliut të dhënat e rasteve të prekura, tregojnë efikasitetin e vaksinave anti-Covid.

“Incidenca e rasteve të cilët janë vaksinuar dhe kalojnë sëmundjen pavarësisht nëse janë shtruar ose jo në spital, është 22 herë më e ulët në krahasim me incidencën e rasteve, të cilët nuk janë vaksinuar, gjë e cila tregon vlerën që ka vaksinimi. Fakti që në të dhënat tona javore incidenca e sëmundjes është tepër e lartë tek të pavaksinuarit, si matje rezulton 20-30 herë më e lartë, tregon efektin domethënës të vaksinave”.

Prej fillimit të vaksinimit janë administruar 1,7 milionë doza të vaksinës ndaj COVID-19, ndërsa 760 mijë qytetarë i kanë kryer të dy dozat e vaksinës.

Klan News