Manastirliu: Javët e hapura do të vijojnë

Të rinjtë po interesohen gjithmonë e më shumë për të marrë një nga vaksinat anti-Covid në dispozicion.

Në një prej pikave të vaksinimit masiv në stadiumin “Air Albania”, vaksinimi i moshave +18 po ecën me ritme të mira.

“Nga ora 08:00 deri ne 20:00 mjafton një karte identiteti, ka interes nga moshat e reja mbi 18 vjeç, po ecën mirë, jemi deri të dielën”.

Duke u nisur nga interesi për vaksinim, ministrja e Shëndetësisë Ogerta Manastirliu gjatë vizitës në njësinë e lëvizshme të vaksinimit në Ndroq, bëri me dije se javët e hapura do të vazhdojnë.

“Fakti që kemi disponibilitet dhe lloje të ndryshme vaksinash në të gjitha strukturat tona shëndetësore na krijon mundësinë që të vazhdojmë vaksinimin për çdo grupmoshë. Ditët e fundit kanë treguar që është rritur mbulimi me vaksina për të gjitha grupmoshat dhe shihet një interes në rritje edhe për grupmoshën e re, pra +18 vjeç”.

Ministrja njoftoi se të tjera sasi vaksinash pritet të mbërrijnë.

“Ne jemi në pritje ditën e hënë për të vijuar furnizimin me vaksina. Do të kemi rreth 44 mijë doza të vaksinës Pfizer ditën e hënë, në vijim të kontratës që ne kemi, të qeverisë shqiptare me kompaninë Pfizer si edhe të mbështetjes së Bashkimit Europian”.

Rritja e rasteve në ditët e fundit dhe dyshimet e ISHP rrisin mundësinë që varianti Delta të jetë prezent në Shqipëri.

“Kemi dyshime të arsyeshme nga sinjalet laboratorike se në Shqipëri qarkullon varianti Delta. Por ende jemi në pritje të rezultateve të Laboratorëve të Referencës për ta vërtetuar këtë dyshim tonin”, tha Manastirliu.

“Grupmoshat të cilat predominojnë në atë numër të kufizuar rastesh që kemi, janë grupmoshat nga 15 në 24, nga 25 në 34 dhe 35 në 44 dhe mbi 70 vjeç kemi pasur raste. Pra është e rëndësishme që këto grupmosha, sidomos grupmoshat e reja të vaksinohen”, u shpreh Silva Bino.

Në 24 orët e fundit janë kryer mbi 14 mijë vaksinime, ndërkohë që prej fillimit të procesit të vaksinimit, janë kryer mbi 1 milion e 100 mijë vaksinime në të gjithë vendin.

Tv Klan