“Vendimet merren nga ekspertët”

Me anë të një postimi në rrjetet sociale, ish-kryeministri Sali Berisha deklaroi se në spitalin e infektivit ku janë të sëmurët me koronavirus ka edhe 100 të sëmurë të tjerë me sëmundje të tjera infektive. Sipas Berishës, ky është një akt i papërgjegjshëm që kërcënon jetën e pacientëve të shtruar dhe për këtë akuzonte kryeministrin Edi Rama dhe ministren Manastirliu.

“Të sëmurët me koronavirus i shtrojnë në Spitalin Infektiv ku janë të shtruar mbi 100 të sëmurë me sëmundje të tjera infektive. Pasi deklaruan ditë më parë se kanë gati Spitalin Infektiv me 130 shtretër për rastet me koronavirus, rezulton se këta të sëmurë po shtrohen vërtet në Spitalin e Sëmundjeve Infektive, por ai është plot me të sëmurë me sëmundje të tjera infektive. Ky është një akt i papërgjegjshëm kriminal që kërcënon në mënyrën më serioze jetën e të sëmurëve të shtruar me sëmundje të tjera në atë spital dhe përhapjen me shpejtësi të epidemisë. Dënoj me ashpërsinë më të madhe këtë vendim tejet të rrezikshëm për të sëmurët në spital dhe mbarë shoqërinë. Për këtë qëllim është urgjente lirimi i njërit prej spitaleve të Qarkut të Tiranës dhe përdorimi i tij ekskluzivisht për të sëmurët me koronavirus”, shkruante Sali Berisha në Facebook.

Ogerta Manastirliu nga emisioni “Opinion” ku ishte e ftuar këtë të hënë mohoi akuzat e ish-kryeministrit. Sipas saj, vendimet në shëndetësi merren nga ekspertët ndërsa theksoi se nuk duhet bërë politikë me virusin.

“Nuk është e vërtetë ajo që thotë zoti Berisha. Vendimet në shëndetësi nuk merren më nga politika. Vendimet në shëndetësi merren nga ekspertët. Ekspertët e Komitetit Shtetëror Teknik të cilët kanë marrë të gjitha masat për planin e veprimit në kuadër të parandalimit, kontrollit dhe mbrojtjes nga koronavirusit. Janë vendim të komitetit. Ministria e Shëndetësisë vetëm vepron. Në këtë situatë që ka nevojë për shumë ekspertë, nuk ka nevojë të bëhet politikë me virusin”, tha ministrja e cila shtoi plani i qeverisë është i mirëstudiuar për të mirën e qytetarëve.

Ndërkohë mjeku Arjan Harxhu sqaroi se Spitali Infektiv është boshatisur dhe është vendosur në dispozicion të të sëmurëve me koronavirus.

“Nuk ka të sëmurë të tjerë në Spitalin Infektiv. Shërbimi është evakuuar. Kati i parë ka qenë i evakuuar ishte gati, tani është boshatisur i gjithi”, tha ai./tvklan.al