“15.4 raste të reja në ditë mesatarisht çdo javë”

“Lufta nuk ka mbaruar, jemi në mesin e saj”. Kështu u shpreh këtë të hënë ministrja e Shëndetësisë Ogerta Manastirliu. Gjatë emisionit “Opinion”, ajo u shpreh se rastet e reja çdo ditë tregojnë që ende Covid-19 po qarkullon në vend.

“Pikë së pari dua të them që luta ende nuk ka mbaruar, jemi në mesin e saj. Fakti që kemi raste të reja që zbulohen çdo ditë tregon që jemi ende duke u përballur me  të. Kemi vetëm sot 22 raste. Ajo që mund të them është që përpos rasteve aktive kemi dhe raste të shëruarish”, tha Manastirliu.

Manastirliu u shpreh që kurba jonë e rasteve me Covid-19 vazhdon të jetë e sheshtë. Sipas ministres mesatarja e rasteve të infektimeve në Shqipëri është 15.4 në ditë.

Sipas Manastirliut nëse nuk do të ishin marrë masat, do të përballeshim me një situatë tjetër në spitale.

“Kurba jonë epidemiologjike është një kurbë e sheshtë. I jemi shmangur çdo piku që mund të shkaktonte vonesa dhe mesatarja jonë e rasteve të reja është 15.4 raste në ditë nëse marrim një mesatare javore. Unë do të thoja që masat reflektojnë situatën ku jemi sot. Nëse nuk do ishin marrë në kohë do ishim përballur me flukse të mëdha të shtruarish në spitale. Fatkeqësisht dhe humbjet e jetës do të ishin më të mëdha”, tha Manastirliu./tvklan.al