Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu ka marrë pjesë në Samitin e Ministrave të Ballkanit Perëndimor, i drejtuar nga Ministri Gjerman i Shëndetësisë Jens Spahn, në kuadër të Procesit të Berlinit.

Manastirliu në fjalën e saj tha se situata epidemiologjike në Shqipëri është e përmirësuar dhe kërkoi njohjen e certifikatës tonë elektronike të vaksinimit nga vendet e Bashkimit Europian.

Njohja e përbashkët e certifikatës elektronike të vaksinimit ndërmjet vendeve të Ballkanit Perendimor dhe vendeve të Bashkimit Europian është e domosdoshme: E para, sepse vendet e Ballkanit Perendimor kanë një nivel të ulët të përhapjes së infeksionit; e dyta, për shkak të lidhjeve të ndërsjellta dhe shkëmbimit që ekziston mes vendeve të Ballkanit Perendimor dhe vendeve të Bashkimit Europian dhe e treta, për rëndësinë strategjike që ka turizmi për ekonomitë e vendeve tona. Ndaj unë do të doja të përfitoj nga ky rast, për të sjellë në vëmendjen e kolegëve të nderuar në këtë takim, që certifikata jonë, të njihet nga të gjitha vendet anëtare të Bashkimit Europian, për të ndihmuar qytetarët tanë të udhëtojnë të sigurt dhe të lirë”, u shpreh ajo.

Ministrja e Shëndetësisë shtroi nevojën për një qasje të integruar dhe të unifikuar rajonale, drejt një tregu të përbashkët të vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe në Bashkimin Europian, duke nisur nga sektori shëndetësor./tvklan.al