Manastirliu me shefat e shërbimit në QSUT: Lufta me Covid-19 nuk ka përfunduar



Manastirliu me shefat e shërbimit në QSUT: Lufta me Covid-19 nuk ka përfunduar

15:18 11/06/2020

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu ka takuar mesditën e sotme drejtues të shërbimeve mjekësore në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza”, për t’i mbështetur në luftën e përbashkët kundër COVID19.

“Shërbimi nuk i ka munguar dhe nuk do t’i mungojë asnjë qytetari në nevojë për kujdes mjekësor. Ndërkohë, lufta me Covid19 nuk ka përfunduar, po kalojmë një fazë tejet delikate dhe të rëndësishme në përpjekjen tonë të përbashkët për të frenuar përhapjen e virusit. Në këtë fazë, zbatimi rigoroz i protokolleve dhe mjeteve të mbrojtjes personale në dispozicion për çdo punonjës të sistemit shëndetësor, si dhe vigjilenca në të gjitha nivelet e shërbimit, kanë rëndësi jetike”, tha Manastirliu.

Manastirliu ka apeluar për qytetarët që të vazhdojnë të kenë kujdes duke zbatuar rregullat e vendosura për të mbrojtur veten, të afërmit, dhe personelin shëndetësor.

“Ashtu siç kemi bërë që nga dita e parë e kësaj epidemie të vijojmë të mbrojmë veten, të afërmit tanë dhe ata që na shërbejnë pa u lodhur në sistemin tonë shëndetësor. Po kaq rëndësi ka edhe mirëkuptimi i familjarëve të pacientëve, për të zbatuar rregulloren e hyrje-daljeve në spital. Nuk do të lodhem së përsërituri lutjen për çdo qytetar: Të zbatojmë rregullat e distancimit fizik dhe higjienën personale”, apeloi ministrja Manastirliu./tvklan.al





Të ngjashme