Manastirliu: Rusja Sputnik për të moshuarit mbi 80 vjeç

30% e mësuesve në të gjithë vendin kanë marrë dozën e parë të vaksinës, ndërsa procesi tashmë është shtrirë tek pedagogët. Vaksinimi i profësorëve të Universitetit të Tiranës u ndoq nga  Kryeministri Rama dhe ministrja e Shëndetësisë Ogerta Manastirliu.

“Ka filluar vaksinimi i pedagogëve, sot vaksinohen këtu në Universitetin e Tiranës 200 pedagogë. Në tërësi janë vaksinuar mbi 12 mijë arsimtarë ose 30% e mësuesve e kanë marrë dozën e parë të vaksinës AstraZeneca”.

Manastirliu shpjegoi se me vaksinën ruse Sputnik të mbërritur një ditë më parë do të vijojë vaksinimi i të moshuarve +80 vjeç.

Dozat që mbërritën nga Emiratet e Bashkuara Arabe të Sputnik do të vijojmë vaksinimin e të moshuarve +80 vjeç, pra sa më shumë të zgjerojmë fashën e të vaksinuarve në grupmosha duke ndjekur planin e vaksinimit. Në tërësi kemi 90 mijë doza vaksine në total, ndërkohë që presim të na vijnë doza të tjera nga Pfizer dhe të konkludojmë  negociatat edhe të fillimit të vaksinimit masiv. Gjithashtu presim nga Covax edhe një sasi tjetër të AstraZeneca që kemi të dhënë nga 60 mijë deri në 80 mijë të AstraZeneca, por jemi duke pritur që të kemi një informacion”, u shpreh ministrja e Shëndetësisë Ogerta Manastirliu.

Për marrjen e vaksinave të tjera të certifikuara, Kuvendi ka miratuar me 95 vota pro aktin normativ të qeverisë. Ministrja Manastirliu tha se vendimi për të zgjeruar bazën e vaksinave erdhi nga ekspertët.

“Jemi udhëhequr nga zëri i ekspertëve në çdo vendimarrje”.

Që prej fillimit të vaksinimit janë kryer në total mbi 48 mijë doza të vaksinës ndaj Covid-19. Mbi 27 mijë janë vaksinime për personelin shëndetësor dhe stafet mbështetëse, 7.932 vaksinime për të moshuarit dhe 12.411 vaksinime për arsimtarët.

Tv Klan