Manastirliu: Mos bëni politikë me koronavirusin



Manastirliu: Mos bëni politikë me koronavirusin

17:49 29/06/2020

“Raportimi i infektimeve është i saktë, kemi numër të ultët viktimash krahasuar me Europën”

Ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu, përmes një postimi në rrjetet sociale i ka kthyer përgjigje atyre që i konsideron si “mjekë të politikës” dhe “politikanë të mjekësisë”.

Manastirliu thotë se qeveria i beson strategjisë së ekspertëve më të mirë të shëndetit publik. Ajo shprehet se të gjitha raportimet mbi numrin e të infektuarve janë të sakta dhe mbi të gjitha transparente.

Ministrja shkruan se numri i qytetarëve që janë shtruar në spital është rreth 20% e kapacitetit të shtretërve të vëna në dispozicion.

Sa i përket numrit të viktimave, ku vetëm 10 ditët e fundit janë shënuar 20 humbje jete, Manastirliu thotë se për një milion banorë është shumë me më i ulët se sa shumica e vendeve të Bashkimit Evropian, dhe i dyti më i ulët ndër vendet e rajonit. Ministrja shprehet se me rihapjen ishte parashikuar një rritje e rasteve.

“Ne i mirëpresim kritikat konstruktive të gjithsekujt, ashtu sikurse hedhim poshtë me neveri akuzat dhe sajesat e atyre, të cilët që nga dita kur virusi u shfaq, nuk kanë lënë ditë pa bërë politikë me të, me akuza shpesh herë kundërthënëse, duke njollosur padrejtԥsisht punën e mijëra ekspertëve të shëndetit, mjekëve, infermierëve, të cilët nuk e kanë ndalur asnjë çast luftën me Covid-19. Ne u bëjmë thirrje qytetarëve që të vazhdojnë të zbatojnë të vetmet mjete që kemi në dispozicion në luftën me Covid-19, që janë distancimi social, vendosja e maskës kudo ku distancimi social nuk mund të ruhet. Ndërsa kujt bën politike me coronavirusin, u bëjmë sërish thirrje të ndihmojnë duke dhënë pikësëpari shembullin personal për zbatimin e masave Anti-Covid, për të kontribuar edhe ata në luftën me këtë virus”, shkruan ajo./tvklan.al



Të ngjashme