Ministrja e Shëndetësisë Ogerta Manatirliu, gjatë ditës së sotme ka inspektuar kushtet e ruajtjes së vaksinave në Institutin e Shëndetit Publik.

Nga dita e dielë ne do të vijojmë vaksinimin masiv të grupmoshave +70 vjeç, duke organizuar gjithmonë punën me mjekët e familjes dhe qendrat shëndetësore kudo në vend. Ndërkohë që nga sot do të fillojë shpërndarja në të gjithë vendin”, tha Manastirliu.

Drejtoresha e ISHP, Albana Fico bëri me dije se të gjitha llojet e vaksinave ruhen në kushte optimale, pasi janë marrë masat për fuqizimin e kapaciteteve të zinxhirit ftohës.

Kemi vërejtur që nuk ka pasur asnjë problematikë në transportin e vaksinës deri në momentin e shkarkimit. Siç erdhën dje menjëherë u bë procedura. Kjo është një praktikë e jona e zakonshme, por në këtë rast kemi verifikuar çdo dozë që është në atë frigorifer. Ka ardhur në kushte optimale dhe kjo është shumë shumë e rëndësishme. Siç e shikoni ajo që ne vlerësuam në fillim, kapacitetet e zinxhirit të ftohtë, ne e jetësuam tani dhe kemi të gjitha mundësitë që çdo lloj vaksine ta ruajmë në kushtet optimale”, tha Fico.

Duke folur për sigurinë e vaksinave të sapoardhura, Erida Nelaj, Përgjegjëse e Programit Kombëtar të Vaksinimit në ISHP tha se ato janë të sigurta dhe efektive.

Ministrja Manastirliu bëri gjithashtu me dije se nga dita e sotme do të fillojë vaksinimi edhe me vaksinën ruse Sputnik V.

Ndërkohë, që prej fillimit të këtij procesi, janë kryer 59,348 vaksinime për personelin shëndetësor, të moshuarit dhe mësuesit. Dje kanë mbërritur 192 mijë doza të tjera të vaksinës kineze Sinovac, ndërkohë që objektivi është që të vaksinohen 500 mijë qytetarë deri në muajin Maj. /tvklan.al