Manastirliu në Kongresin e PS: Ngritje në një tjetër nivel të shëndetësisë


Manastirliu në Kongresin e PS: Ngritje në një tjetër nivel të shëndetësisë

20:58 12/06/2021

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale Ogerta Manastirliu, gjatë fjalës në Kongresin e Jashtëzakonshëm të Partisë Socialiste, në 30 vjetorin e krijimit të saj, nënvizoi se kjo parti është e vetmja forcë politike që mund ta transformojë, modernizojë dhe ndërtojë të ardhmen e Shqipërisë. Manastirliu ka bërë me dije objektivat madhor të programit të mandatit të tretë për ngritjen në një tjetër nivel të sektorit shëndetësor.

“Ka ardhur momenti ta ngrejmë në një nivel të ri shërbimin ndaj pacientit me zbatimin e autonomise spitalore. Fillojmë me Spitalin Memorial të Fier dhe më pas e eksportojmë këtë model kudo në Shqipëri. Brenda 2025, do të krijojmë katër Polet Spitalore që do të bëhen Qendra të referencës diagnostikuese dhe trajtuese në katër rajonet e vendit. Do të ngremë 10 qendra model të mjekësisë familjare, me shërbime të integruara socio-shëndetësore, me fokus problemet e shëndetit mendor, shërbimet për fëmijët dhe të rinjtë, dhe kujdesin paliativ brenda vitit 2024. Do të konsolidojmë Platformën e Integruar të Shëndetësisë Digjitale, që zgjeron sistemet e shëndetësisë elektronike, sistemet e përgjigjes ndaj epidemive, sistemet e menaxhimit të shërbimit farmaceutik dhe rrjetin e Telemjekësisë dhe konsultave ambulatore në çdo nivel shërbimi. Do të ndërtojmë Programin Kombëtar të mjekësisë së specializuar të lëvizshme, me qëllim që, qytetarët dhe në zonat më të thella të vendit të kenë akses periodik në shërbimin shëndetësor”, deklaroi Manastirliu.

Duke folur për investimet në shëndetësi, Manastirliu tha: “Kantieri i shëndetësisë nuk do të ndalet dhe do të finalizojmë gjatë këtij mandati projektet e mëdha të ndërtimit të Spitalit të ri Sëmundjeve të brendshme në QSUT, Spitalit pediatrik ne Tiranë, Spitalit Infektiv, Maternitetit Mbretëresha Geraldinë, Spitalit pediatrik në Elbasan dhe Spitalit Rajonal të Kukësit. Viti 2025 do ta gjejë tërësisht të rehabilituar infrastrukturën e të gjitha qendrave shëndetësore dhe ambulancave, në çdo cep të Shqipërisë”.

Ministrja e Shëndetësisë tha se pandemia e COVID-19 u përballua falë profesionalizmit të stafeve mjekesore, solidaritetit qytetar dhe investimeve në sistemin shëndetësor.

Pandemia na vuri në provë të vështirë. Por nuk na gjunjëzoi! Iu përgjigjëm me profesionalizmin e stafeve tona mjekësore, dhe me solidaritetin e qytetarëve të mrekullueshëm të këtij vendi. Ia dolëm sepse i sëmuri i madh që ishte sistemi shëndetësor në vitin 2013, pas një terapie të fortë dhe të pandalur 8-vjeçare, tashmë ishte ngritur në këmbë“, tha Manastirliu.

Duke u shprehur se harta e të dhënave të infektueshmërisë për kontinentit tregon se Islanda dhe Shqipëria janë prej disa javësh me nivelin më të ulët të infektimeve, Manastirliu tha se vaksinimi antiCOVID do të vijojë, derisa qytetari i fundit të vaksinohet.

“Sot, kur ne i afrohemi shifrës së 1 milion vaksinimeve, nuk kemi thjesht 1 milion qytetarë më të mbrojtur. Sot ne kemi garanci të shtuara për biznesin, për turizmin, për ekonominë tonë. Prandaj do të vazhdojmë pa u ndalur, sipas një plani të mirëmenduar, deri kur të kemi vaksinuar edhe qytetarin e fundit, për t’i dhënë goditjen finale virusit, dhe për t’iu rikthyer plotësisht normalitetit”, u shpreh Ministrja e Shëndetësisë.

Në fjalën e saj në kongres, Ministrja e Shëndetësisë theksoi se angazhimi për Shqipërinë e 2030-ës përpara shqiptarëve është ndërtimi i një sektori shëndetësor, që mishëron ato parime dhe vlera, që dolën fort në pah në këta 15 muaj të vështirë të pandemisë: Solidaritet, Barazi dhe Shëndet për të Gjithë./tvklan.al






Të ngjashme