Nga urgjenca e re e përkohshme e Mamurrasit, ku aktualisht po transferohet shërbimi i qendrës shëndetësore 24 orëshe të këtij qyteti, ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale garantoi ofrimin e shërbimit pa ndërprerje për banorët e prekur nga tërmeti.

Edhe pse jemi në këto kushte emergjence, jemi këtu për të garantuar që kujdesi shëndetësor do të vazhdojë në të gjitha zonat e prekura nga tërmeti, ku jemi duke ofruar shërbim, siç është rasti i urgjencës 24-orëshe të Mamurrasit, ku në kohë rekord qendra shëndetësore e dëmtuar nga tërmeti, është transferuar në një ambient të përshtatshëm, pa e ndalur punën për ofrimin e shërbimit për qytetarët”, tha Manastirliu.

Ministrja e Shëndetësisë deklaroi se janë 12 objekte shëndetësore të dëmtuara, për të cilat ka nisur puna me riparimin e dëmeve si pasojë e tërmetit, për ato objekte që janë të riparueshme, ndërsa do të vijojë plani i rindërtimit.

“Janë 12 objekte shëndetësore, ku përfshihen kryesisht qendra shëndetësore, të cilat janë vlerësuar me dëmtime serioze apo dëmtime të lehta si pasojë e tërmetit. Për dëmtimet e rikuperueshme ne kemi marrë masat që të fillojë menjëherë puna për rehabilitimin, sikundër kemi bërë me spitalin e Durrësit, me disa shërbime në QSUT, etj, ndërsa do të përfshijmë në planin e rindërtimit objektet me dëmtime të rënda siç është qendra shëndetësore 24 orëshe e Mamurrasit apo spitali i Laçit, ku ndërkohë kemi marrë masa për të ofruar shërbimin e urgjencës në kushte optimale, në një ambient të ri”, tha Manastirliu.

Manastirliu i bëri këto deklarata në Ditën Botërore të Mbulimit Shëndetësor Universal. “Po vijojmë të ofrojmë gjatë gjithë kohës, për të gjithë banorët mbulimin shëndetësor universal nëpërmjet njësive të lëvizshme edhe në ato zona ku qendrat shëndetësore janë dëmtuar si pasojë e tërmetit dhe deri tani janë rreth 463 mijë qytetarë që e kanë kryer kontrollin mjekësor bazë, që tregon për ndërgjegjësimin e tyre për t’u kujdesur për shëndetin”, tha Manastirliu.

Më shumë se 6 mijë vizita mjekësore dhe rreth 1500 vaksinime kundër gripit janë kryer nga ekipet mjekësore pranë banorëve të sistemuar në hotele apo në pikat e emergjencës, të mbetur të pastrehë si pasojë e tërmetit, ku po vijon shërbimi shëndetësor 24/7. /tvklan.al