Durrës, 18 Qershor – Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu ka inspektuar nga afër laboratorin e ri të analizave në Spitalin Rajonal Durrës, investim i kryer në kuadër të modernizimit të rrjetit të laboratorëve publikë.

Manastirliu u shpreh e kënaqur që tashmë ka një hop cilësor përsa i përket kryerjes së analizave që realizohen dhe llojshmërisë së tyre në spitalet e vendit.

“Janë spitalet rajonale dhe dy spitale bashkiake, spitali i Lushnjes dhe spitali i Sarandës, që nëpërmjet rrjetit të integruar të laboratorëve, kemi arritur që të realizojmë jo vetëm rritje të gamës dhe llojshmërisë së analizave, por edhe rritje dhe përmirësim të cilësisë së tyre. Edhe në rastet kur një pacient i duhet të transferohet nga spitali i Durrësit apo nga spitalet e tjera në spitalin e Tiranës, seti i analizave që e shoqëron pacientin, ka të njejtin standard, sikurse bëhet në Durrës, sikurse bëhet në Lezhë, sikurse bëhet në Vlorë, ashtu bëhet në Tiranë”, tha Manastirliu.

Gjatë inspektimit, Manastirliu tha se tashmë aparaturat e analizave janë të dublikuara, duke shmangur problematikat që ndodhnin më parë.

“Çfarë na është ofruar, është jo vetëm infrastruktura, e cila ka ndryshuar rrënjësisht, jo vetëm aparaturat që janë dhe të dublikuara, që nuk shkaktojnë asnjë problematikë -kemi hasur problematika të mëdha më parë sepse një aparaturë të prishej, një kit laboratori të mungonte, një mirëmbajtje të mos bëhej në kohë, atëherë pengohej diagnostikimi, pengohej trajtimi, pengohej gjithë proçesi i trajtimit medikamentoz të qytetarit. Dhe sigurisht dhe vendosja e diagnozës që është kryesorja apo ndjekja e diagnozës së pacientit. Kështu që në këtë pikë, ky shërbim tashmë është një shërbim i unifikuar në të gjithë vendin. Është një shërbim që garanton cilësi dhe mbi të gjitha është një shërbim që ka standarde, të cilat janë standarde europiane”, tha Manastirliu.

Ministrja e Shëndetësisë tha se po bëhet një punë e mirë për menaxhimin e të gjitha analizave për pacientët e shtruar në spitale por edhe ata ambulatorë, duke shtuar se do të kemi mundësi për të shtrirë akoma më shumë gamën e analizave çdo vit./tvklan.al