Me pandeminë po luhet futboll politik

Ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu, deklaroi këtë të enjte në seancën plenare se pandemia në Shqipëri po përdoret për politikë. Ministrja u shpreh kundër opozitës, sipas të cilës, nuk bëjnë vlerësimet e duhura për situatën. Manastirliu u shpreh numri i testimeve do të rritet në vijim si dhe  do të shtohen testimet e shpejta.

“Në Shqipërinë tonë të vogël, pandemia po përdoret politikisht, madje është përdorur pa ardhur akoma rasti i parë. Jo futboll, por ping-pong politik janë bërë ata që luajnë në tavolinat e vogla të selive politike dhe shpallin katastrofën që nuk u erdhi e nuk u erdhi. Ne nuk e kemi ndalur punën në këtë kohë sfiduese. Këta që flasin në tavolinat e selive u zgjuan papritur pas pushimeve verore dhe recitojnë të njëjtin tekst.

Nuk po flas për testet sepse vendosin objektiva të cilat i kanë totalisht të pavlerësuar nga pikëpamja shëndetësore dhe nuk duan të kuptojnë që çdo vendim i qeverisë bazohet në vlerësimin e një Komiteti Ekspertësh. Me shtimin e rasteve pas hapjes strategjia e vjeshtë dimri përfshin rritjen e numrit të testimeve. Kjo ndodhi. Po përgatitemi duke rritur testimin edhe duke përfshirë testimin e shpejtë. E thamë dhe do t’i qëndrojmë. Thamë dhe do t’i qëndrojmë deri në fund që do të shtojmë kapacitetet spitalore siç e kemi bërë”, tha Manastirliu.

Ajo i bëri i thirrje qytetarëve që të zbatojnë masat në mënyrë që të frenohet pandemia dhe të mos ketë mbingarkim të sistemit shëndetësor. Kjo do të bëjë që të zgjidhen personat që do të futen në intubim tha ministrja, duke kujtuar se në këtë situatë janë futur shumë vende të zhvilluara.

“Kjo luftë nuk bëhet e vetme ndaj e gjithë sakrifica e bërë deri më sot duhet që çdo qytetar të zbatojë masat. Masat shkojnë në funksion të frenimit të përhapjes së virusit. Nëse do të kemi një mbingarkesë të spitaleve, do të përballemi me vështirësi dhe zgjedhje se kush do të trajtohet i pari ashtu sikurse vende të zhvilluara janë përballur kur kanë pasur flukse të rasteve në spitale, ku janë drejtuar të përzgjedhin kë do të fusin në frymëmarrje të drejtuar.Akti normativ jo vetëm mbështet qytetarët, por drejton vëmendjen drejt zbatimit të masave. I lë mundësinë qytetarëve të kuptojnë që nuk është gjoba qëllimi parësor  masës, por ka ardhur momenti të bëjmë më të mirë ndaj pandemisë”, tha ministrja. /tvklan.al