Dyfishohet ndihma ekonomike për 64 mijë familje në nevojë

Deri në një afat të pacaktuar Shqipëria do të vijojë të jetë sërish në shtetrrethim. Shtyrja e masave shtrënguese nga ana e qeverisë vjen për shkak të pandemisë së shkaktuara nga koronavirusi, ndonëse më herët çdo aktivitet publik e jopublik, si dhe lëvizja e qytetarëve ishte e ndaluar deri në datën 3 prill. Masat i bëri publike vetë Ministria e Shëndetësisë Ogerta Manastirliu, që drejton edhe Task-Forcën kundër koronavirusit.

“Qëndrojnë të mbyllura deri në përfundimin e epidemisë: Çerdhet, kopshtet dhe shkollat – të gjitha institucionet arsimore publike dhe jo publike. Baret, restorantet, lokalet, fast-food-et dhe strukturat akomoduese që ofrojnë shërbim për klientët. Do të jenë të ndaluara deri në përfundimin e epidemisë aktivitetet publike dhe jo publike dhe anulimi i grumbullimeve masive në vende të mbyllura apo të hapura.”

Manastirliu njoftoi gjithashtu se duke nisur nga e mërkura të gjithë familjet dhe individët që përfitojnë ndihmën ekonomike do ta marrin këtë pagesë pa patur  nevojë që të paraqiten për të kryer aplikimin pasi do të jetë online.

“Sipas urdhrit që kam firmosur administratorët shoqërorë të njësive administrative janë përgjegjës për kryerjen e aplikimeve për ndihmë ekonomike duke mundësuar ata vetë kontaktin elektronik ose me telefon për t’iu ardhur në ndihmë të gjithë aplikuesve për përfitimin e ndihmës ekonomike. Përjashtimisht, aplikimet për ndihmë ekonomike, do të pranohen nga administratorët shoqërorë të njësive administrative në formë elektronike ose përmes shërbimit postar.”

Dyfishim të ndihmës ekonomike tha se do të ketë për 64 mijë familje.

“Rreth 64 mijë familje do të përfitojnë nga dyfishimi i pagesës së ndihmës ekonomike përgjatë gjithë periudhës së fatkeqësisë natyrore. Edhe për personat me aftësi të kufizuar, pagesat do të vazhdojnë pa ndërprerje dhe rikomisionimet e personave me aftësi të kufizuara do të zhvillohen pasi të kalohet gjendja e fatkeqësisë natyrore”.

Sipas urdhrave të firmosur nga Ministria e Shëndetësisë deri në përfundim të situatës do të ndërpriten të gjitha ndërhyrjet kirurgjikale të planifikuara në të gjithë strukturat spitalore publike dhe jo publike.

Tv Klan