Në kuadër të revolucionit digjital të ndërmarrë nga qeveria shqiptare, Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu, nga Qendra Shëndetësore Kamëz, ka prezantuar një tjetër sistem elektronik që do të shmangë burokracitë për qytetarët. Raporti mjekësor dhe dokumenti shëndetësor që dëshmon aftësinë për punë, tashmë merren online.

“Ky sistem i ri për raportin mjekësor elektronik dhe i dëshmive të aftësisë për punë, do të sjellë me të vërtetë një revolucion brenda gjithë sistemit të shërbimeve. E para, sepse vetë qytetari, i cili ka një problematikë shëndetësore dhe i duhet të kërkojë një raport tek mjeku i familjes – dhe është një akses që përfshin rreth 1600 mjekë të familjes në të gjithë Shqipërinë-  do të ketë mundësi që ta përfitojë këtë raport mjekësor online, pra nëpërmjet platformës e-Albania. Dhe në të njejtën kohë, përpos që ky raport mjekësor merret në mënyrë elektronike, i shkon edhe punëdhënësit në të njëjtin moment, duke shmangur burokracitë dhe ecejaket e qytetarëve për të marrë dhe dorëzuar një raport mjekësor apo dokumentin që dëshmon  aftësinë në punë”, tha Manastirliu.

Gjatë vizitës në Qendrën Shëndetësore Kamëz, Ministrja Manastirliu bëri me dije se faza e dytë e këtij projekti do të shtrihet edhe për raportet e barrëlindjes, të cilat do të jepen online.

“Të gjitha raportet afatgjata, apo ato të lejeve të barrëlindjes do të jepen elektronikisht. Pra nuk do të jetë më e nevojshme për të vajtur vetë qytetari, gruaja që sapo ka lindur të shkojë në Institutin e Sigurimeve Shoqërore apo në degët e tij dhe të dorëzojë dorazi. Sepse ky raport shkon elektronikisht, përllogaritja është elektronike dhe depozitimi gjithashtu në llogarinë e qytetarit që ka përfituar këtë raport bëhet gjithashtu automatike”, bëri me dije Manastirliu. 

Nga muaji Prill deri më tani, në të gjithë vendin janë më shumë se 70 mijë raporte mjekësore dhe dokumente të aftësisë për punë të lëshuara online, me sistemin e ri elektronik pranë mjekut të familjes.

Ndërsa nga data 1 Maj 2022, revolucioni digjital në fushën e shëndetësisë ka hyrë në një fazë të re, me mbylljen e sporteleve fizike dhe kalimin tërësisht online të aplikimeve në sistemin shëndetësor. Në këtë mënyrë, eliminohen burokracitë, përmirësohet koha dhe cilësia e marrjes se shërbimeve për 26 aplikime në total në institucionet e MSHMS për rreth 11,000 dokumente në vit. Institucionet të cilat ofrojnë shërbime online janë Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale; Agjencia Kombëtare e Barnave dhe Pajisjeve Mjekësore (AKBPM); Agjencia e Sigurimit të Cilësisë te Kujdesit Shëndetësor dhe Shoqëror; Shërbimi Social Shtetëror; Fondi i Sigurimit të Detyrueshëm te Kujdesit Shëndetësor./tvklan.al