Manastirliu: Drejt përfundimit kontrata për vaksinat

Shqipëria do të marrë 500 mijë doza të vaksinës Pfizer brenda 3 muajve. Lajmin e bëri të ditur Ministrja e Shëndetësisë Ogerta Manastirliu nga Kopenhageni, ku po drejton Sesionin e 71-të Komitetit Rajonal për Europën të OBSH.

“Jam e kënaqur të them se jemi duke negociuar dhe përfundojmë se shpejti një kontratë tjetër me kompaninë Pfizer për 500 mijë doza vaksine, të cilat do të mbërrijnë në 3-mujorin e fundit të këtij viti dhe natyrisht do të vijojmë të kemi një qasje proaktive për të rritur mbulesën vaksinale tek grupet e riskut, sidomos tek punonjësit shëndetësor, tek mësuesit dhe gjithashtu të gjithë punonjësit e shërbimeve në administratën publike”.

Qasja e barabartë në aksesin ndaj vaksinave dhe strategjia e vaksinimit 2020-2030 ishte në fokus të takimit mes 53 vendeve anëtare të OBSH për Rajonin Europian të mbledhur në Kopenhagen. Kjo ishte hera e parë që Shqipëria mori drejtimin e Sesionit 71-të të Komitetit Rajonal të OBSH-së për Europën, si vlerësim dhe njohje e përpjekjeve të qeverisë shqiptare për menaxhimin e situatës së pandemisë.

Tv Klan