“78 mijë diabetikë përfitojnë barna falas”

Nga Vlora, ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu, tha se spitalet rajonalë po forcohen për përballimin e pandemisë së Covid-19.

“Kemi marrë vendimin që përpos strukturave të dedikuara, gjithashtu të kemi disa skenarë të gatshëm që të mundemi të trajtojmë edhe në spitalet rajonale pacientë të prekur me Covid. Në planin tonë në përfshirjen e spitaleve rajonale, kemi rritur kapacitetet e këtyre spitaleve për të mundësuar një trajtim sa më efikas përsa u përket të prekurve me Covid-19 kemi mundësuar fuqizimin e këtyre spitaleve qoftë përsa i përket pavijoneve të dedikuara me të gjithë linjat e oksigjenit, fuqizimit përsa i përket pajisjeve që duhen, gjithashtu dhe trajnimi i vazhdueshëm për mjekët dhe infermierët”.

Në Ditën Botërore të Diabetit, Manastirliu tha se 78 mijë qytetarë të kësaj kategorie përfitojnë barnat falas.

“Janë 78 mijë qytetarë të cilët përfitojnë nga skema jonë e barnave të rimbursueshme për trajtimin falas të diabetit. Dhe gjithashtu nëpërmjet programeve tona të parandalimit,  praktikisht janë 14.5 % e qytetarëve që kanë kryer kontrollin mjekësor bazë, të cilët janë identifikuar si prediabetikë dhe më pas mjeku i familjes, mjeku specialist i ka këshilluar dhe trajtuar”.

Sipas ministres, afro  20 milionë dollarë në vit financohen nga buxheti i shtetit  për rimbursimin e barnave falas për diabetikët.

Tv Klan