Mjekët: Situata e kontrolluar, spitalet në gatishmëri. Pipero, apel qytetarëve të vaksinohen

Ministrja e Shëndetësisë Ogerta Manastirliu ka takuar mjekët dhe infermierët e Shërbimit Infektiv në QSUT.

Pavarësisht situatës të cilën e konsideroi të kontrolluar, ajo i ka siguruar mjekët për mbështetjen deri në fund, në përballjen me virusin e rrezikshëm. Si dhe u ka shprehur vlerësimin për punën e palodhur të tyre.

“Për të gjithë ekipin e mjekëve dhe infermierëve do të vijojë mbështetja, ashtu sikurse ka qenë deri tani me bonusin special, do të vijojë deri në ditën e fundit të kësaj lufte me armikun e padukshëm. Janë më shumë se 4 mijë punonjës të shëndetësisë, mjekë, infermierë, epidemiologë, laborantë, të cilët kanë përfituar bonusin special të vendosur nga qeveria shqiptare”.

Veç zbrazjes së spitalit Covid 4, ulje të numrit të të shtruarve ka edhe në Infektiv dhe në Covid 3, por pavarësisht uljes së numrit të të shtruarve në spitale, mjekët u bëjnë thirrje qytetarëve të bëjnë kujdes.

Ndërsa mjeku infeksionist Pëllumb Pipero ka bërë apel që qytetarët të vaksinohen.

Numri i pacientëve që trajtohen në spital është rreth 180. Mes pacientëve nuk mungojnë as moshat e reja.

Klan News